Pas lufte, Kosova ka provuar shumë qeveri, ku të gjithë ne që kemi qenë në rrjedha të situatës politike i dimë ecjet dhe ngecjet e proceseve. Gjate rrugëtimit të dy dekadave të fundit, pritjet nga qytetarët e Kosovës por edhe të miqve tanë ndërkombëtar kane qenë të mëdha, por fatkeqësisht kemi pas ngecje në shumë fusha.
Arta Haziri-Nuhiu
Si njëra nga qytetarët e këtij vendi që i përkas gjeneratës së re, them se është për keqardhje gjendja e rinisë, trajtimi i tyre dhe akoma mbetet si problem numër një punësimi i tyre.
Na kujtohet të gjithëve kur u krijua qeveria në mandatin e kaluar; mbi dy-qind mijë qytetarë të zhgënjyer dhe të pa shpresë, e në veçanti gjenerata e re që ia mësyu rrugëve të Evropës.
Sot, ne po presim krijimin e qeverisë së re, qeverisë së shpresës me z. Ramush Haradinaj kryeministër. Si qytetarë të këtij vendi, kemi pritë shumë për këtë ditë. Ata që nuk e duan Ramushin kryeministër, nuk e duan Kosovën, nuk e duan ecjen përpara, nuk e duan progresin.
E kemi provuar bllokadën gjashtëmujore, e kemi provuar qeverinë e fundit që për më shume se tre vite, përkundër superfuqisë se numrave nuk arritën të shtyjnë asnjë proces para. Prandaj u bënë zgjedhje të parakohshme, prandaj iu dha besimi z.Ramush Haradinaj.
Me Ramushin kryeministër, Kosova është në pikën e kthesës. Me Qeverinë e re e cila pritet të vijë, qytetarët e Kosovës kanë mundësinë te shohin Kosovën sigurt në rrugën e integrimeve evropiane.
Me Ramushin kryeministër, qeveria e tij do të merr vendime të duhura lidhur me luftimin e korrupsionit, rritjen ekonomike, dhe bashkëpunimin me fqinjët e integrimin ne NATO e BE.
Bota po ecë çdo ditë, andaj edhe Kosova duhet të ecë me hapa më të shpejt, e me Ramushin kryeministër ne besojmë në lëvizje të tilla. Ka ardhur koha me i lënë anash interesat personale, me mendua më shumë për fëmijët tanë, për të ardhmen e tyre dhe të vendit tonë që e kemi ndërtuar me shumë sakrificë.
Nuk mjafton vetëm liria, qytetarët kanë nevojë për më shumë mirëqenie, për shëndetësi më të mirë, për shkollim më cilësor, për aktivitete kulturore-artistike, për pensione më të dinjitetshme, me një fjalë që cdo qytetar të ndihet mirë në vendin e tij.
Ramushi ka dhënë prova të mjaftueshme që e do vendin e tij. Që nga lufta e UCK-së kur me të gjithë familjen u vunë në shërbim të lirisë, e duke ju përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare për tetë vite qe doli me kokën lart e fitimtar për vete e Kosovën, e deri te qëndrimi i tij në Francë ku me dinjiteti mbrojti edhe atje sovranitetin e Kosovës së pavarur.
Të gjithë krenoheshim me të, prandaj me Ramushin kryeministër do të kthehet besimi e do të krenohemi me Kosovën sërish.