Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 43-ën me radhë, ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Falë performancës së shkëlqyer ekonomike, buxheti i parashikuar për vitin 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, duke kapur vlerën prej 2 miliardë e 746 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak.
Projektbuxheti i vitit 2022 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, ri-orientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, si dhe përkrahjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Në hapje të mbledhjes kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se për herë të parë do të votojmë një buxhet që është i yni.
“Sot në mëngjes, para fillimit të punës, jam takuar me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve me të cilin e kemi shqyrtuar edhe njëherë versionin final të buxhetit, dhe më duhet të them që, jo vetëm pse ky buxhet është i yni, por këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë”, tha kryeministri Kurti.
Ai falënderoi të gjithë ministrat për kontributin e jashtëzakonshëm sepse, siç u tha ai, një buxhet i këtillë kaq gjithëpërfshirës e kaq ambicioz nuk do të ishte i mundur pa kontributin tuaj.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve për paga dhe shtesa për të siguruar harmonizimin e linjave buxhetore të pagave për muajin tetor 2021.
Miratimin e ka marrë edhe kërkesa tjetër e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për kursime dhe ndarje buxhetore në kategorinë e shpenzimeve në shumën prej pesë milionë e njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë euro, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës. Mjetet transferohen te Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar në kategorinë e shpenzimeve dhe shërbimeve për furnizim me barna. /2LONLINE.com/