Kushtrim KADRIU – /Kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit/
Rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës, ka mbetur vetëm një akt i vullnetit të mirë i shkruar në letër dhe pa u bërë asgjë në praktikë.
janë bërë mbi 10 vite që kur deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë obliguar Qeverinë që të punojë më shumë në përmirësimin e jetës së qytetarëve që jetojnë në Luginë dhe për ata që janë të dëbuar nga shtëpitë e tyre e që jetojnë në Kosovë, por që nga ajo kohë nuk është bërë as edhe një lëvizje në implementimin e kësaj rezolute nga Qeveria e Kosovës.
Banorët e Kosovës Lindore ndihen shumë të zhgënjyer me pasivitetin e Qeverisë në mos fillimin e implementimit të zbatimit të kësaj rezolute.
Si rezultat i kësaj mos punë nga Qeveria po vazhdon të ketë mungesa në komunikim politik në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kosovës Lindore, shembullin më të freskët i kemi përplasjet politike në mes të disa subjekteve politike të Kosovës Lindore me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Problem i përhershëm është edhe mungesa e krijimit të një politike afatgjate të koordinuar në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kosovës Lindore, ku ky mos veprim vërehet edhe me qëndrimet e ndryshme politike dhe një mos unitet i theksuar në mes të spektrit politik në Kosovën Lindore.
Si duket mos zbatimi i kësaj rezolute do të jetë vetëm ëndërr për qytetarët e Kosovës Lindore, e kjo ëndërr po të bëhej realitet, e po të zbatohej kjo rezolute nga Qeveria e Republikës e Kosovës do të kushtëzonte marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike.
Kjo rezolutë është jetike për ekzistencën e qytetarëve të Kosovës Lindore në trojet e veta.
Gjithashtu po të zbatohej nga qeveria e Republikës së Kosovës kjo rezolute, Qeveria do të kishte më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë, duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta me theks të veçante do të bënte të mundur marrjen e dokumenteve të identifikimit nga shumë qytetarë të dëbuar nga Kosova Lindore, që tani nuk mund të pajisen me dokumente të tilla. /2LONLINE/