“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë Ndërmarrje e Përbashkët Çlirimtare”, Jakup Krasniqi.
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Mos ndërhyrja në punën e gjykatave kur ato merren me çështje drejtësie është e drejtë, por kur ato merren me cilësime politike ndërhyrja është obligim.
… Qeveria duhet të kërkojë nga Gjykata Speciale e Kosovës/Hagës që ta tërheq cilësimin politik për UÇK-në…
Në aktakuzën e ngritur kundër katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të cilët u paraburgosën nga Gjykata Speciale e Kosovës/Hagës, me 4 dhe 5 nëntor 2020, përveç tjerash është edhe cilësimi i padrejtë politik në lidhje me organizimin e UÇK-së. Në aktakuzë organizimi i UÇK-së cilësohet si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. UÇK-në kështu e ka cilësuar vetëm Serbia.
Ky cilësim jo vetëm se nuk është i drejtë, por cilësimet politike janë jashtë fushëveprimit të gjykatave dhe si të tilla janë të papranueshme.
Ndaj këtij cilësimi reagoi me të drejtë, në kohën dhe vendin e duhur (në Gjykatën Speciale në Hagë), ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi i cili në Gjykatë, ju drejtua trupit gjykues me këto fjalë: “Unë dhe shokët e mi ishim Ndërmarrje e Përbashkët Çlirimtare. Ndërmarrje e Krimit dhe gjenocidit ishin Serbia dhe përkrahësit e saj…”
Në lidhje me këtë cilësim u reagua me të drejtë, nga shumë kush brenda dhe jashtë vendit, por edhe pse ka kaluar më shumë se një javë, në lidhje me këtë cilësim skandaloz, të Gjykatës që thuhet se është e Kosovës, e që u themelua nga Kuvendi i Kosovës, ende nuk ka reaguar Qeveria e Kosovës, me arsyetimin e Kryeministrit të Kosovës, se ne (Qeveria) nuk ndërhymë në punën e gjykatave.
Mirëpo kështu nuk mendojnë personalitete të shquara të SHBA-ve, si drejtuesi i Komitetit për punë të jashtme z. Eliot Engel, njohësi i çështjeve të Ballkanit z. Daniel Server, ish-kreu i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker e i cili në një intervistë për gazetaren Bruna Çifligu, në Europeanws Albania përveç tjerash tha se, ish-drejtuesit e UÇK-së po hetohen padrejtësisht në Hagë, pasi qëllimi i luftës së tyre ishte çlirimi i vendit. Sipas tij, termi terrorist nuk mund të përdoret për të përshkruar UÇK-në, por ushtrinë dhe paramilitarët serbë si Arkani. “UÇK është siç e thotë emri i saj. UÇK ishte një grup të rinjsh kryesisht, të cilët nuk e duruan më shtypjen dhe krimet e luftës qe po kryheshin nga qeveria e Beogradit. Ata morën armët të mbronin veten e tyre, fshatrat dhe të mbronin familjet e tyre dhe rezultat i kësaj ishte lufta.”
Prandaj, ne mendojmë se arsyetimi i Kryeministrit do të qëndronte, deri në momentin kur gjykatat fillojnë të merren me politikë si në rastin konkret. Në raste të këtilla, kur gjykata merret me cilësime politike, ndërhyrja e Qeverisë jo vetëm se lejohet, por është obligim institucional, prandaj Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga Gjykata Speciale e Kosovës/Hagës që ta tërheq cilësimin politik për UÇK-në, të kërkojë falje për këtë skandal dhe asnjëherë në të ardhmen të mos merret me cilësime politike. Heshtja e Qeverisë së Kosovës, në lidhje me këtë skandal të Gjykatës, të porositur nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës, është pajtim me këtë cilësim skandaloz.
Mos ndërhyrja në punën e gjykatave kur ato merren me çështje drejtësie është e drejtë, por kur ato merren me cilësime politike ndërhyrja është obligim. /2LONLINE.com/