Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin t’i shfuqizojë disa nga venmdimet që kishte ndërmarrë për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë për media ka falënderuar qytetarët për respektimin e vendimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Një ndër vendimet që morëm tani është ai për liberalizimin e masave në ballafaqimin me pandeminë Covid-19. Tash nga dita e nesërme mund të fillohet me një hapje jo absolute. Ajo çfarë do të bëjmë është se po rihapim kopshtet nga 0-5 vjeçar. Pastaj po bëjmë organizimin për testin e arritshmërisë dhe përgatitjet për testin e maturës. Kthimi i klasave të nënta nga data 8 qershor ndërsa ata të 12-ta nga data 15 qershor. Më datën 13 mars e patëm marrë vendim për mbylljen e kufijve, dhe në këtë mënyrë hapim kufijtë tokësorë. E kemi shfuqizuar edhe pikën 6, me të cilën janë mbyllur baret dhe kafiteritë. Nga dita e nesërme hapen edhe ato”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia tha se nga nesër hapen kufijtë tokësorë ndërsa ata ajror vendimi pritet të merret pas një jave. Si pjesë e hapjes së plotë nga nesër do të jenë edhe gastronomia, qendrat tregtare, taksitë…
Vitia tha se rreziku nuk ka kaluar, dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbrohen nga pandemia e koronavirusit.
Vitia bëri të ditur se më 20 qershor do të bëhet vlerësimi i masave.
Ai shtoi se gjatë kësaj kohe do të ketë kontrolle të rrepta, për të parë nëse po respektohen masat e duhura në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID0-19.