Ndërsa qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë ia hedhin njëra-tjetrës fajin rreth mosarritjes së marrëveshjes për qarkullim të lirë, qytetarët vazhdojnë të presin radhë në pikat e kalimit kufitar. Ata shprehen se lëvizja vetëm me letërnjoftime, do të përshpejtonte procesin. Nga ambasada e Kosovës në Shkup theksojnë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe presin përgjigje nga qeveria e Maqedonisë për finalizimin e marrëveshjes.
“Ishte kërkesë e palës së Maqedonisë që shtetasit e Kosovës të pajisen me letërnjoftime biometrike, në mënyrë që kjo marrëveshje për lëvizje të lirë, të jetësohej. Menjëherë pas fillimit të lëshimit të letërnjoftimeve biometrike në dhjetor të vitit 2013, Ministria e Brendshme e Kosovës inicioi propozim-marrëveshjen për Kushtet e udhëtimit të shtetasve të të dy vendeve, pasi konsiderojmë që kërkesat e palës së Maqedonisë janë plotësuar me fillim të lëshimit të letërnjoftimeve biometrike. Marrëveshja e cila është propozuar qysh në janar të vitit 2014, parashikon kalimin e kufirit me letërnjoftime biometrike. Megjithatë, Ministria e Brendshme nuk ka marrë ende një përgjigje nga pala maqedonase”, – thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Ditë më parë Alsat vizitoi Hanin e Elezit ku intervistoi kreun e kësaj komune Rufki Sumën dhe disa qytetarë të cilët kërkojnë që kjo marrëveshje të finalizohet sa më shpejtë dhe të mundësojë qarkullim të lirë të qytetarëve. Përveç lidhjeve fisnore, banorët e dy anëve të kufirit, iu duhet ndonjëherë të kalojnë cdo ditë në kufi për shkak të punëve dhe angazhimeve që kanë në jetën e përditshme. Aktualisht, Maqedonia ka ratifikuar marrëveshje për kalim të kufirit me letërnjoftime, vetëm me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Bedri Rexhallari. /AlsatM/