Këto që po i shihni në foto janë pulte – pajisje, të cilat në veprim me kartelat e anëtarëve të kuvendit komunal të Gjilanit, shërbejnë për konfirmimin e prezencës në seancë dhe pastaj edhe mundësojnë votimin elektronik.
Por, ndonëse ato janë tani e sa kohë para çdo kuvendari gjilanas (qysh nga përbërja e kaluar), nuk hyjnë në funksion akoma, pasi ata nuk po i përdorin ato.
Në Kuvendin Komunal të Gjilanit, akoma prezenca vërtetohet, me leximin e emrit nga sekretaria dhe me një: “Këtu!”, që del nga goja e kuvendarëve. Ndërsa për të votuar, ata duhet ta ngrisin dorën lartë.
Pra, ndonëse ekziston mundësia, mënyra e votimit elektronik nuk po jetësohet akoma në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Ndodhë që kjo përbërje e re akoma të mos i ketë të gatshme kartelat, për dallim nga ajo e kaluara, që i kishin, por që nuk përdoreshin, shpesh herë me arsyetimin në pjesë e mirë e tyre nuk i kishin me vete në seancë. Sidoqoftë, mbetet të shihet në seancat e radhës se a do të bëhet funksionale kjo mundësi, apo do të vazhdohet me të vjetrën.