Kombëtarja U-21 e Kosovës do të grumbullohet të martën për Botërorin e juniorëve në hendboll, i cili do të mbahet gjatë muajit korrik në Spanjë.
Shtabi teknik i Kombëtares së Kosovës në hendboll të hënën e ka publikuar listën e Kombëtares U21, që gjatë muajit korrik do të paraqitet në kampionatin botëror të juniorëve që mbahet në Spanjë.
Janë ftuar 18 hendbollistë, ndërsa shumica janë të klubeve kosovare, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës.
Bëhet fjalë për lojtarë të një gjenerate të suksesshme, që ka fituar garën IHF Trophy për Evropë e më pas edhe fazën interkontinentale, për të siguruar kështu paraqitjen historike në kampionatin botëror që prej 16 deri më 28 korrik mbahet në Spanjë.
Përgatitjet për kampionat botëror fillojnë të martën (nesër), kurse fillimisht ato zhvillohen në Banjë të Pejës. Grumbullimi i lojtarëve bëhet në ora 14:00 në hotelin Onix në Banjë.