Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë pas angazhimit të psikologëve në shkollat e Kamenicës duke u ofruar nxënësve kushtet e nevojshme për një arsimim sa më cilësor, ka kërkuar nga psikologët që të punohet me fëmijët dhe prindërit, në trajtimin e varësisë nga teknologjia/interneti.
Lidhur me këtë, psikologët e shkollave të Kamenicës në kuadër të punës me fëmijë, janë angazhuar edhe më shumë duke bërë një projekt-propozim në mënyrë që të identifikojnë fëmijët që janë të varur nga teknologjia.
Ky projekt-propozim psikologëve, i cili ka filluar të implementohet në Komunën e Kamenicës ka për qëllim të identifikojë nxënësit të cilët janë të predispozuar apo që kanë krijuar varësi ndaj teknologjisë/internetit, psikologët të bëjnë plane parandaluese/ intervenuese për trajtimin e këtyre rasteve, si dhe të mbajnë aktivitete vetëdijësuese në shkolla për varësinë ndaj teknologjisë/internetit.
Andaj psikologët janë angazhuar që për matjen e varësisë në teknologji te nxënësit e klasave 6-9, të tetë SHFMU-ve në Kamenicë, të përdoret pyetësori për varësinë nga interneti “Internet Addiction Scale” (Young, 1998), i cili përbëhet nga 20 pohime, kurse, nxënësit e klasës 1-5 do të intervistohen përmes një interviste të gjysmë strukturuar.
Ndërsa ky studim pritet të realizohet nga data 15.12.2020-01.02.2021, ku secili psikolog i shkollës do të angazhohet në shkollën në të cilën punon. Në lidhje me këtë angazhim (hulumtim), nga psikologët, fillimisht do të informohen kujdestarët e klasëve. Pastaj, secili kujdestarë i klasës mund t’i informoj prindërit përmes grupeve që kanë krijuar në viber, apo aplikacioneve tjera ku ata komunikojnë. Pas informimit të tyre, do fillohet të aplikohen pyetësorët për varësinë ndaj teknologjisë/internetit me nxënësit e klasëve 6-9. Nxënësit e klasëve 1-5 do të intervistohen. Ndërsa për nxënësit parashkollorë, do të pyeten prindërit e tyre nëse kanë nevojë për konsultime me psikologun e shkollës, në lidhje me këtë çështje.
Po ashtu përmes këtij propozimi psikologët theksojnë se pas identifikimit, do krijohen grupe të vogla prej 4-5 nxënësve dhe prindërve dhe do ftohen në takime në shkollë. Përmes këtyre takimeve do provohet të bisedohet rreth varësisë nga interneti dhe cfarë mund të bëjmë që të shmangur përdorimin e tepërt/ të panevojshëm të internetit. Përveç takimeve grupore, do mbahen edhe takime individuale me nxënës dhe prindër. Përgjatë periudhës së pushimit dimëror do të përgatiten aktivitete vetë-dijësuese për varësinë ndaj internetit. /2LONLINE.com/