Tri nga qytetet më të pasura në botë kanë përjetuar ngjarje të mëdha këtë vit: Parisi, Hong Kongu dhe Santiago, shkruan Jeffrey D. Sachs nga Universiteti i Kolumbisë. Artikulli është i përkthyer në gjuhën frënge për « allnews » të Zvicres nga François Boisivon (29 tetor 2019), ndërsa në gjuhën shqipe përkthimi dhe përshtatja e tij janë mundësuar nga Mirishahe Limani Hiler.
Tri nga qytetet më të pasura në botë këtë vit kanë përjetuar ngjarje dhe trazira të rëndësishme.
Në nëntor të vitit 2018, Parisi u desh të përballet me një valë pakënaqësie dhe çrregullimesh, pas rritjes së taksave të karburantit të vendosur nga presidenti Francez Emmanuel Macron. Hong Kongu ka qenë në trazira që nga muaji mars, pas një projektligji të paraqitur nga shefi ekzekutiv Carrie Lam që do të lejonte ekstradimet në Kinë. Gjithashtu, trazirat shpërthejnë në Santiago të Kili-t këtë muaj pasi presidenti Sebastian Piñera vendosi në favor të një rritje të çmimit të biletave të metrosë. Çdo lëvizje e protestimit ka faktorët e saj lokalë, por, të marra së bashku, ata tregojnë historinë e asaj që mund të ndodhë kur ndjenja e padrejtësisë përzihet me perceptimin e përhapur të lëvizshmërisë së ulët sociale.
Duke pasur parasysh instrumentin tradicional matës të PBB-së për kokë banori, të tri qytetet janë paragonë të suksesit ekonomik. Të ardhurat për kokë banori janë rreth 40,000 dollarë në Hong Kong, më shumë se 60,000 dollarë në Paris dhe janë rreth 18,000 dollarë në Santiago, një nga qytetet më të pasura në Amerikën Latine . Raporti i Forumit ekonomik botëror 2019 mbi konkurrencën renditë Hong Kong-un në vendin e tretë, Francën në të pesëmbëdhjetin dhe Kilin në të tridhjetë e tretin (një nga vendet e Amerikës Latine më së miri i plasuar).
Banorët e Hong Kongut, Francës dhe Kilit mendojnë se jeta e tyre në shumë mënyra është e bllokuar.
Edhe pse këto vende janë mjaft të pasura dhe konkurruese për sa i përket kritereve konvencionale, popullsia e tyre nuk është e kënaqur me jetën e tyre të përditshme dhe aspektet më të rëndësishme të saj. Sipas Raportit botëror për lumturinë 2019, të publikuar nga Kombet e Bashkuara, njerëzit e Hong Kongut, Francës dhe Kilit besojnë se jeta e tyre është bllokuar në shumë mënyra.
Çdo vit, Instituti i studimeve Gallup pyet njerëzit në mbarë botën: “A jeni të kënaqur ose të pakënaqur me lirinë që keni, për të zgjedhur atë që bëni në jetën tuaj?”
Nëse Hong Kongu renditet në vendin e 9-të në botë sa i përket PBB-së për kokë banori, territori renditet shumë më keq, në vendin e 66-të, kur marrim parasysh ndjenjën e secilit që është në gjendje të udhëheqë jetën e tij ashtu siç e sheh të arsyeshme. E njëjta mospërputhje është e dukshme në Francë (25-të për PBB-në për banor, 69-të për lirinë për të zgjedhur jetesen ) dhe Kili (përkatësisht 48 dhe 98).
Paradoksalisht, Fondacioni Heritage dhe Universiteti Simon Fraser janë të pajtimit që Hong Kongu është qyteti i botës me lirinë më të madhe ekonomike; banorët e Hong Kongut, nga ana tjetër, ankohen për lirinë e kufizuar që ata kanë për të jetuar jetën e tyre ashtu siç dëshirojnë. Në secilën nga tri ekonomitë, rinia urbane që nuk lindin të pasur janë të dëshpëruar për qështjen e banimit të papërballueshëm dhe një punë të mirë. Në Hong Kong, çmimet e pasurive të patundshme në krahasim me pagat mesatare janë ndër më të lartat në botë. Kili ka pabarazinë më të thellë të të ardhurave në Organizatën e kooperimit dhe zhvillimit ekonomik, i njohur si klubi i vendeve me të ardhura të larta. Në Francë, fëmijët e elitës janë me më shumë përparësi në karrierën e tyre.
Për shkak të çmimeve shumë të larta të banesave, shumica e njerëzve janë larg lagjeve qendrore dhe aktive, në përgjithësi ata varen nga automjetet e tyre personale ose transporti publik për të shkuar në punë. Prandaj, ata janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj evolucionit të çmimeve të transportit, siç tregohet nga shpërthimet e zemërimit popullor në Paris dhe Santiago.
Instrumentet, mjetet tradicionale ekonomike janë plotësisht të pamjaftueshme për të vlerësuar se si ndihen vërtet qytetarët.
Hong Kongu, Franca dhe Kili nuk janë të vetmet që përjetojnë një krizë të lëvizjes shoqërore dhe për t’u përballur me pakënaqësinë e shkaktuar nga pabarazitë e zgjeruara. Në Shtetet e Bashkuara, nivelet e vetëvrasjeve dhe shenja të tjera të shqetësimit shoqëror po rriten, siç janë vrasjet masive. Të gjitha këto janë duke u rritur në një kohë kur pabarazitë janë më të thella se kurrë dhe kur besimi i qytetarëve në qeveri shembet. Shtetet e Bashkuara ndoshta duhet të presin shpërthime më të shpeshta sociale nëse jeta jonë politike dhe ekonomia jonë vazhdojnë në të njëjtën rrugë.
Për të shmangur këtë, ne duhet të mësojmë nga tri rastet e fundit të diskutuara më lart. Të tri qeveritë në fjalë janë « kapur të habitura » nga lëvizjet e protestës. Duke humbur kontaktin me opinionin publik, qeveritë nuk mund të parashikonin që një nismë në dukje modeste (projektligji për ekstradimet, Hong Kong ; rritja e taksës së karburantit, Francë ; rritja e biletës së metrosë, Kili) do të shkaktonte një shpërthim shoqëror të kësaj madhësie.
Ajo që është ndoshta më domethënëse dhe më pak befasuese është se instrumentet tradicionale ekonomike, të cilat matin mirëqenien, janë plotësisht të pamjaftueshme për të vlerësuar se si ndihen vërtet qytetarët. PBB për kokë banori përcakton të ardhurat mesatare të një ekonomie, por nuk thotë asgjë për rishpërndarjen e saj, ndjenjat e njerëzve për t’u trajtuar në mënyrë të drejtë ose të padrejtë, perceptimin e ndjeshmërisë së tyre financiare dhe elementeve të tjerë të gjendjes sociale (siç është besimi tek autoritetet publike) e cila peshon shumë në cilësinë e jetës në përgjithësi.
Renditjet, si është indeksi i konkurrencës së Forumit ekonomik botëror, indeksi i lirisë ekonomike të Fondacionit Heritage dhe matja e lirisë ekonomike globale, e zhvilluar nga Universiteti Simon Fraser, janë përpjekje që realisht nuk pasqyrojnë nëse njerëzit mendojnë se po trajtohen në mënyrë të drejtë, se janë të lirë të bëjnë jetën e tyre ashtu siç ata e gjykojnë të arsyeshme, nëse ata besojnë në ndershmërinë e autoriteteve publike dhe iu falin besimin atyre.
Çdo shoqërie i takon të matë pulsin e popullatës së vet dhe të vëzhgojë me kujdes rrënjët e shqetësimit dhe mosbesimit shoqëror.
Për t’i njohur këto ndjenja, është e nevojshme të pyesni drejtpërdrejt njerëzit nëse janë të kënaqur me jetën e tyre, nëse ndjehen personalisht të lirë, nëse i besojnë qeverisë dhe bashkatdhetarëve të tyre dhe çfarë mendojnë ata për dimensione të tjera të jetës shoqërore që ndikojnë shumë në cilësinë e jetës së tyre të cilat mandej mund të shkaktojnë një revoltë shoqërore. Kjo është qasja e zgjedhur nga anketat vjetore të raportit Gallup mbi mirëqenjen, të cilën unë dhe kolegët e sjellim në rezyme çdo vit, në Raportin botëror për lumturinë, shkruan Jeffrey D. Sachs.
Ideja e zhvillimit të qëndrueshëm, siç shprehet në 17 « Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm » ( QZHQ) të miratuar nga qeveritë e botës në vitin 2015, është që të shkohet përtej treguesve tradicional siq është rritja e PBB-së dhe të ardhurat për kokë banori, për t’u marrë parasysh një grup instrumentesh dhe politikash më domethënëse që marrin parasysh drejtësinë sociale, besimin dhe ruajtjen e mjedisit. Kështu, QZHQ-të i kushtojnë vëmendje të veçantë jo vetëm zvogëlimit të pabarazisë së të ardhurave (QZHQ 10), por gjithashtu, në përgjithësi, për promovimin e mirëqenies (QZHQ 3).
I takon çdo shoqërie të matë pulsin e popullatës së saj dhe të vëzhgojë me kujdes rrënjët e shqetësimit dhe mosbesimit shoqëror. Rritja ekonomike pa drejtësi dhe mos ruajtja e mjedisit mbart me vete çrregullim dhe jo mirëqenie. Ne kemi nevojë për një ofertë shumë më të gjerë të shërbimeve publike, një rishpërndarje më të madhe të të ardhurave që kanë të pasurit për më të varfërit dhe gjithashtu kemi nevojë për investime më të mëdha publike për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm. Pra, me sa duket, masat e marra për heqjen e subvencioneve për karburantet ose rritja e çmimeve të metros për të mbuluar kostot, do të çojnë në revolta nëse ato merren në një kontekst të mosbesimit shoqëror dhe rritjes së pabarazisë kur ndjenja e padrejtësisë është gjerësisht e përbashkët.