Nëse duhen paratë për ushtrinë atëherë mbase edhe ja vlen të pritet për ngritje të pagave, por me një kusht: që qeveritarëve e politikanëve të tjerë si dhe prokurorëve e gjyqtarëve, t’u kthehen pagat ashtu si i kanë pas para rritjes së fundit e cila i ka bërë ata me pagat më të larta në rajon!
Shkruan: Arsim KASTRATI
Sipas ligjit për pagat i cili pritej se do të aprovohej nga parlamenti këtë fundvit, një shofer i politikanëve ‘të lartë’ apo një profesionist me përgatitje shkollore të mesme do të kishte pagë më të lartë se sa një arsimtar apo një drejtor i shkollës së mesme!
Parregullsitë e tilla në këtë ligj i japin të drejtë zërave kritik të cilët kërkojnë korrigjimin e tij.
Grevat në vendin tonë i kanë nxitur: paralajmërimi i mosmbajtjes së premtimit për ngritjen e pagave në fillim të vitit 2019, projektligji jo i drejtë për nivelizimin e pagave për shërbyesit dhe punonjësit nëpër sektorë të ndryshme si dhe iritimi nga ngritja enorme e pagave të politikanëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Nëse duam shëndetësi dhe arsim kualitativ atëherë edhe qasja e politikës karshi tyre duhet të jetë më kualitative dhe më inkurajuese!
Nëse dëshirojmë një shtet funksional atëherë trajtimi i njëjtë për shërbyesit dhe punonjësit e të gjithë sektorëve të shtetit dhe shoqërisë është i domosdoshëm!
Po të sulmohet nesër shteti atëherë vaj halli për të nëse në mbrojtje të tij do të viheshin vetëm shtresat e privilegjuara të shoqërisë.
Për më tepër shteti do të duhej të interesohej pak më tepër edhe për punonjësit e sektorit privat, pagat e të cilëve janë mizërie kurse të drejtat e tjera pothuajse inekzistente!
Ndoshta udhëheqësit tanë politik, mendojnë se populli mbahet dhe mashtrohet duke e konsumuar belanë politike me Serbinë, e cila s’po ka të sosur dhe po e pengon dukshëm demokratizimin e mëtutjeshëm dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë?!
Kur jemi në këtë pikë po del të jetë plotësisht i drejtë qëndrimi se përderisa vazhdon odisejada e bisedimeve me Serbinë, dikush duhet të kujdeset, edhe atë mirë, për mbarëvajtjen e çështjeve të brendshme të shtetit apo thënë ndryshe: ‘për punët e brendshme të shtëpisë’.