Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi është përjashtuar për herë të tretë këtë edicion. Në ndeshjen ndaj Gjilanit, që Ballkani e fitoi 2:1, Munishi protestoi, reagim ky që rezultoi me përjashtin nga loja.
Tekniku i Ballkanit u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes ndaj Gjilanit, ndërkohë që ndihmësi i tij Agim Maliqi zbuloi edhe arsyen për të cilën gjyqtari Genc Nuza e përjashtoi atë nga loja.
“Lojtari me numrin 22 i Gjilanit (Muhamed Useini) vazhdimisht e provokonte Ismetin. Ai e ofendoi dhe më pas Ismeti normalisht që reagoi. Genc Nuza e dëgjoi Ismetin dhe e largoi nga loja pasi që ia kishte tërhequr vërejtjen edhe më parë”, deklaroi Agim Maliqi pas ndeshjes.
Kujtojmë që Munishi ishte vazhdimisht i tensionuar nga fillimi i ndeshjes, teksa nuk munguan as debatet me tone të ashpëra me stafin teknik të Gjilanit.
Gjithsesi në fund skuadra e tij e fitoi ndeshjen, teksa mposhti ‘kuqebardhët’ me rezultat 2-1. Me këtë fitore, Ballkani merr lidershipin.