Askush nuk e ka menduar që pas afro 20 viteve në liri dhe mbi 10 viteve të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës (17 shkurt 2008), do të ketë nevojë për protestë mbarëpopullore për mbrojtjen e shtetit nga invazioni politik i Serbisë dhe largimin e uzurpatorëve të shtetit nga pushteti!
Shkruan: Florim Zeqa
Të gjitha partitë që qeverisën me vendin nga paslufta deri më sot, qytetarëve nuk u sollen gjë të mirë, përveqse vuajtje e mjerim, mashtrime e zhgënjim deri në thyerje të shpresave për largim nga vendlindja e tyre.
Klasa e kusarëve të pangopshëm politik, për ruajtjen e pasurive të tyre milionshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në shkatërrues fatal të shtetit të Kosovës.
Situatën e heshtur të popullatës, janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të “mirë” pushtetarët, liderët e dështuar duke u thirrur në liberalizimin e vizave dhe proceset integruese të vendit si mashtrim për qytetarët.
Servilët dhe puthadorët e pushtetit, matrapazët dhe injorantët politikë, sikurse dje, sot dhe në të ardhmen do të jenë të gatshëm të tradhëtojnë prapë interesat e shtetit dhe besimin e qytetarëve të vendit.
Personaliteti i dyfisht i liderëve partiak
Pushtetarët e sotëm derisa ishin në opozitë, i kundërshtonin me të gjitha mjetet veprimet antishtetërore dhe antikombëtare të qeverisë së kaluar, sot janë më të zëshmit për miratimin e atyre marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga oponentët e djeshëm politik!
Më e rëndë se degradimi i subjekteve politike, është heshtja qytetarëve kundrejt keqeverisjes, përderisa e pajustifikueshme mbetet heshtja dhe indiferenca e popullatës kundrejt pazareve të fshehta politike.
Situatën e heshtur të popullatës, janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë pushtetarët, liderët sa të dështuar, po aq të korruptuar dhe shantazhuar, që tashmë janë duke u përballur me sfidat e kauzave të rrejshme përmes të cilave erdhen në pushtet.
Për më keq se kaq, i harruan kauzat, i gëlltitën premtimet dhe hëngrën “qershitë e lagura” duke u bërë marioneta të presidentit Thaçi në dialogun vrastar të Brukselit.
Dëmet që i ka shkaktuar vendit kjo klasë politike në pushtet janë të mëdha dhe të pariparueshme.
E kam thënë vite më parë, po e përsëris prapë, sikur të ishte i vetëm Hashim Thaçi, e keqja për vendin do të ishte më e vogël.
E që nuk është i vetëm Hashim Thaçi, u dëshmua edhe në takimin e fundit në Bruksel. Hashim Thaçi nuk ishte e keqja e vetme për vendin përgjatë këtyre gjashtë vjetëve dialog me Serbinë. Bashkë me të ishin të gjitha partitë politike, me përjashtim të VV-së.
Hyrja në bisedime të pabarabarta, fatale për Kosovën
Hyrja e Kosovës në bisedime me Serbinë si palë e pabarabartë, gjegjësisht si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e jo si shtet i pavarur, përkatësisht me fusnotë* e pa Republikë, e ka bërë Serbinë superiore në të gjitha takimet, duke e trajtuar Kosovën herë si provincë (krahinë) e herë si koloni të saj!
Nga fillimi i bisedimeve e deri deri më sot, politika kosovare në dialog me Serbinë ka qënë pa krye dhe pa platformë të bisedimeve, duke e ulur tejë mase peshën e bisedimeve, të cilat janë realizuar gjithmonë në favor të Serbisë.
Negociatorët kosovarë në bisedimet me Serbinë në Bruksel asnjëherë nuk kanë qënë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore, si në aspektin formal ashtu edhe atë praktik.
Presidenti Thaçi, i vetëzgjedhur kryenegociator i fazës finale të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, ditëve të fundit ishte i fokusuar në blerjen e opozitës së përçarë kosovare, në mënyrë që t’ia sigurojë vetes nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë. Mirëpo duke e parë rrezikun e humbjes së mbështetjes nga opozita, ju ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marrë kinse mendimin për ligjshmërinë e ratikfimit të marrëveshjeve të nëshkruara, fillimisht me Daçiqin e së fundmi edhe me Vuçiqin në Bruksel.
Nga dialogu i pabarabartë i Brukselit, përveq shtrirjes gjeografike të Serbisë në veri të vendit dhe kontrollit të plotë të enklavave serbe në brendi të vendit, Kosova rrezikon të del e zhveshur komplet nga identiteti shtetërorë dhe ai kombëtar.
Bërja hisedare e Serbisë në të gjitha asetët e shtetit dhe gjitha institucionet e Kosovës në njërën anë dhe dominimi ekonomik dhe politik i Serbisë në vendin tonë në anën tjetër, e ka shndërruar Republikën e Kosovës në shtet pa Republikë.
Të bashkuar në mendime, të ndarë në veprime
Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veq e veq, askush nuk pajtohet me situaten e krijuar, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t’u përballur me sfidat e kohës!
Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysëm shtetin e Kosovës. Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.
Në situatën e krijuar, për ndaljen e dialogut të pabarabartë me Serbinë në Bruksel dhe parandalimin e shumë të këqijave të tjera, kërkohet guxim e mençuri, tolerancë e bashkëpunim, qendrueshmëri dhe konsistencë në veprime.
Ekziston vetëm një zgjidhje; protestat dhe revolta e përgjithshme popullore, padëgjueshmëria qytetare ndaj insitucioneve të korruptuara deri të bllokimi i tërësishëm i jetës institucionale.
Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie, për përmbysjen e këtyre strukturave kriminale dhe korruptive me votë të “lirë”, do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë, këta liderë të korruptuar, do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare, përmes dialogut të Brukselit, ku përveq Zajednicës do ta degradojnë akoma më tepër sovranitetin e shtetit me zgjerimin territorial dhe politik të Serbisë në Kosovë.
Deri atëherë, këto struktura kriminale jo vetëm që nuk do të dobësohen, përkundrazi do të forcohen akoma më tepër, për çka edhe përballja me to do të jetë më e vështirë dhe më e mundimshme, ku pasojat do të jenë afatgjata dhe të paparashikueshme për qytetarët.
Në kohën kur nuk funksionon asnjë mekanizëm shtetëror për të mirën e qytetarëve, filluar nga Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti, protestat mbarëpopullore kanë mbetur e vetmja shpresë për mbrojtjen e shtetit nga dialogu vrastar i Brukselit në njërën anë dhe degradimin e institucioneve të shtetit nga uzurpatorët, puthadorët dhe lakmitarët e pushtetit në anën tjetër.
Çdo ditë në pushtet e një presidenti kuisling dhe një qeverie kusarësh politikë, do të thotë një ditë më pakë për shtetin dhe qytetarët e lodhur, të cilët janë duke e pritur me padurim liberalizimin e vizave për largim nga vendi i tyre.
Janë, pra me mijëra arsye pse duhet protestuar me 29 shtator, jo për të mbështetur VV-në, por për mbrojtur shtetin nga falimentimi dhe zhbërja fizike, për të rikthyer shpresat për jetë në Kosovë.
Mbështetja e rrejshme
Mos mbështetja e protestës së 29 shtatorit nga partia më e madhe opozitare (LDK), me arsyetimin se dëshiron t’i provoj edhe “dy mundësitë” demokratike në Kuvend, e shpëfaqë edhe një herë mosbesimin ndaj VV-së dhe ndihmën në prapavijë që i bënë presidentit Thaçi.
Kjo nuk ka si të kuptohet ndryshe, veqse një hipokrizi e radhës e lidershipit të LDK-së, kur në të njëjtën kohë e refuzon dhe kërkon mbështetjen e opozitës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, e kinse në rast të dështimit (të sigurtë) të mocionit, të e merr ajo (LDK-ja) primatin e organizimit të protestës!
Kjo i bie, që ka fare pak rëndësi çfarë bëhet në ndërkohë me shtetin, e rendësishmja është të bëhet një hap drejt pushtetit qoftë edhe përmes marrëveshjeve në prapaskenë (si çdo herë me Hashim Thaçin), në këtë rast, në mbështeje të kërkesës së kryeparlamentarit Veseli nën slloganin në mashtrim; “Të gjithë kundër Serbisë”!
Shihet qartë, se LDK-ja nuk e ka vullnetin dhe as guximin për ta larguar Thaçin nga pushteti, shkaku i lidhjeve të interesit që kanë deputetët dhe strukturat e udhëheqjes aktuale.
Pra, për aq sa është i dëmshëm vazhdimi i dialogut Thaçi-Vuçiq për Kosovën, aq do të jetë e dëmshme “ngjallja” e Isa Mustafës-nënshkruesit të dytë të marrëveshjes fatkeqe për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) me Vuçiqin në Bruksel.
Në rast të mosdaljes masive të qytetarëve në protesta, do ta shfrytëzoj Thaçi si alibi për ta justifikuar mbështetjen e rrejshme nga opinioni i gjërë për korrigjim të kufijve (ndarjen e Kosovës) me Serbinë!
Ashtu siq më njohin lexuesit, në shkrimet e mia flas me gjuhën e zemrës, asnjëhere nuk udhëhiqem nga interesi, mëria dhe inatet personale, por nga dashuria që kam ndaj atdheut tim-Kosovës dhe bashkombasve që jetojnë në atë vend.
Unë asnjëherë deri më sot, nuk e kam mbështetur keq-qeverisjen e vendit pavarësisht se kush ka qënë në pushtet, sikurse që nuk i kam mbështetur pazaret e pista politike për interesa personale të kujtdo qofshin ato.
I tillë do të mbetëm deri në frymën e fundit-ushtarë besnik i atdheut tim.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës shtet sovran e demokratik!