Burim Muji, përfaqësues i lagjes Gllama në Bresalc të Gjilanit ka bërë me dije se sot me banorë të lagjes Gllama të Bresalcit, protestuan në shenjë pakënaqësie për zvarritjen në rregullimin e rrugës sot e cila është në gjendje shumë të rëndë për shkak të zvarritjes së punimeve në autostradën e Gjilanit, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se kanë pasur premtime për rregullimin e kësaj rrugë edhe nga kryeministri, edhe nga ministri i Infrastrukturës por asnjëherë nuk ka ndodh diçka përtej premtimeve.
“Ne do të presim deri pas festës së Bajramit për të parë nëse ka reflektim nga institucionet përkitazi me këtë rrugë, nëse jo, atëherë do të rikthehet protesta me më shumë qytetarë dhe me kohë më të gjatë e të përditshme. Jemi të detyruar sepse na është vështirësuar jeta si pasojë e kësaj rruge”, ka thënë Burim Muji. /2LONLINE/