Organizatat studentore, të cilat kanë organizuar protestat para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, do të vazhdojnë protestat nesër së bashku me shoqërinë civile. Përfaqësues të studentëve dhe shoqërisë civile, njoftuan se protestat do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.
Studentët të cilët kanë hyrë në javën e dytë të protestave, do të vazhdojnë përsëri të protestojnë, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Përfaqësuesja e Lëvizjes Studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim, Alisa Hasani, tha se janë të vendosur të protestojnë dhe të kërkojnë me ngulm që rektori Gashi të japë dorëheqje si dhe tu hiqen titujt shkencorë profesorëve, që me botimin e punimeve të tyre nëpër revista fiktive, kanë përfituar në avancim.
“E para është dorëheqja e rektorit Ibrahim Gashi, fillimi hetimeve rreth keqpërdorimeve në UP, përmirësimi i infrastrukturës së Qendrës së Studentëve dhe largimi i ndikimit të pushtetit në UP nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues”, tha ajo, transmeton RTK.
Protesta e nesërme do të fillojë nga ora 12 00, ku grupi i studentëve do të nisen nga Qendra Studentore, ndërsa grupi i shoqërisë civile, do të nisen nga Sheshi Skënderbeu, për tu bashkuar para rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Ndërkohë, Parlamenti i studentëve, ka kërkuar nga grupi i studentëve protestues që ta ndalin bllokimin e rektoratit. Ky aksion, i organizuar nga Parlamenti Studentor, është organizuar para Fakultetit të Filologjisë. Kryetar i Parlamentit, Minir Begaj tha se problemi duhet të zgjidhet përmes rrugëve institucionale.
“Nuk do të amnistohet askush, as rektori e as vet ministri, as profesorët e as asistentët, apo kushdo tjetër që ka manipuluar me avancime të tilla akademike. Në kemi kërkuar dhe kërkojmë që zgjidhja të jetë përmes rrugëve institucionale”, tha ai.
Parlamenti Studentor kërkon që të bëhet rishikimi dhe plotësimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, rivlerësimi i masterit, doktoratës dhe punimeve shkencore që nga viti 1991 e deri më sot. Po ashtu, kërkohet ndërprerja e kontratave të dyfishta të profesorëve, asistentëve dhe stafit tjetër akademik.