Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme ka mbajtur konferencë për media, përmes së cilës u shpalosën rezultatet e hetimit të rastit të njohur në opinion si “Albkings”. Në konferencë prezantuan Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Zejnullah Gashi dhe prokurorja e çështjes, njëheri Zëvendës Kryeprokurorja, Elza Bajrami Kastrati.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prishtinë dhe me qytetarët e Republikës së Kosovës, janë identifikuar dhe arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar se janë përfshirë në këtë rast penal, prej tyre tre (3) administratorë të këtij grupi, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit dhe dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve” nga neni 277/H, i Ligjit për Ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, në këtë konferencë u bë e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar ta hetojë këtë rast edhe në disa pista të tjera të hetimit, të cilat do të bëhen të ditura në një fazë tjetër, si dhe u bë apel përsëri për të gjithë personat e dëmtuar në këtë rast, të paraqiten qoftë në polici qoftë në prokurori për bashkëpunim, në mënyrë që suksesshëm të luftohen dukuritë kriminale dhe bindshëm të vërtetohen veprimet inkriminuese të secilit të pandehur.
Po ashtu, në këtë konferencë u bë e ditur se në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, është mbyllur ky grup, përkundër faktit se që nga mbyllja e parë, i njëjti është rihapur edhe dy herë të tjera.
Në fund, theksua roli i Prokurorit të Shtetit në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së qytetarëve, ashtu që çdo kryes i veprave penale do të përballet me pasojat ligjore për veprimet e saj/tij të kundërligjshme. /2LONLINE/