Risi të shumta janë prezantuar në fushën e prokurimit publik në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të procedurave të aplikimit, rritjes së transparencës, dhe lehtësimit të qasjes në të dhënat publike. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të titulluar “Prokurimi Publik në Zhvillim të Vazhdueshëm”.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se bizneset jo rrallëherë kanë shprehur shqetësimet e tyre përkitazi me aktivitetet e prokurimit publik, duke vlerësuar si pozitive zhvillimet e reja të cilat janë mundësuar falë gatishmërisë së institucioneve përkatëse por edhe mbështetjes konkrete të programeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Stephen Carpenter, Udhëheqës i Ekipit, Aktiviteti i USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, tha se publikimi i plotë i kontratave të tenderëve në sistemet elektronike për opinionin e gjerë rezulton në transparencë më të madhe, ndërsa zhvillimi i sistemi të prokurimit elektronik që përfshin të gjitha procedurat nga shpallja e ofertave deri të përzgjedhja e operatorëve ekonomik zvogëlon kontaktin fizik ndërmjet operatorëve dhe autoriteteve kontraktuese. Ai vlerësoi si inkurajues gatishmërinë e komunave për bashkëpunim në këtë drejtim, ndërsa duke folur për transparencën në rritje, ai foli edhe për ndihmën që i është dhënë Organit të Shqyrtimit të Prokurimit, që do të mundësojë transmetimin përmes internetit të seancave dëgjimore të këtij organi.
Sami Uka, Anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tha se ky institucion ka punuar ngushtë me aktivitetin e USAID në mënyrë që të zhvillojë më tej sistemin e prokurimit publik, njëkohësisht duke mundësuar rritjen e normave të transparencës përmes publikimit të të dhënave të procesit të prokurimit. Ai njëkohësisht theksoi se KRPP do të vazhdojë zhvillimet për t’i kontribuar një mjedisi më të mire të prokurimit publik në vend.
Ndërsa, Blerim Dina, Kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, përmendi mes të tjerash zhvillimin e fundit të bërë nga ky institucion i cili mundëson transmetimin e drejtpërdrejt të seancave të prokurimit duke thënë se përmes kësaj synohet rritja e transparencës dhe qasja më e afërt me operatorët ekonomik. Ai tha se OSHP po ashtu është angazhuar në publikimin e vendimeve të lëshuara si dhe në zhvillimin e sistemit elektronik të ankesave, zhvillime këto të cilat janë reflektuar edhe në rritje të numrit të ankesave të raportuara në këtë institucion.