Në lancimin e programit për mbështetje financiare në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë për bizneset e mesme dhe të vogla nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë zhvilloi aktivitetin e radhës me Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, duke synuar informimin më të hollësishëm rreth këtij programi për bizneset anëtare të saj.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky program ka qenë i nevojshëm edhe më përpara si shtysë ndaj sektorit privat në Kosovë, duke përmendur poashtu kërkesën e bërë nga komiteti i inovacionit të Odës Amerikane për të pasur një qasje dhe vëmendje më të madhe ndaj fushës së inovacionit në Kosovë. Ndërsa Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, falënderoi ministrin për gatishmërinë e treguar në mbështetjen e fushës së inovacionit dhe mirëpriti lancimin e këtij programi rezultatet e të cilit ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se financimi nga ky program synon kryesisht zhvillimin e sektorit privat, duke shtuar se me krijimin e politikave në këtë fushë dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në vend, Ministria që ai drejton po synon rritjen e produktivitetit dhe potencialit të kompanive vendore për të arritur një qasje më të lehtë në tregjet rajonale dhe botërore.
Ministri Beqaj njoftoi të pranishmit se ky program synon të financojë tri nivele të bizneseve sipas standardeve të Kosovës, biznese të mesme, të vogla dhe ato në fushën e inovacionit dhe bizneset startup, të cilat do të financohen nga 10,000 deri në 100,000 euro e që përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe jo vetëm nga fusha e inovacionit.
Beqaj tha se përmes këtij programi synohet zhvillimi ekonomik në vend nga i cili do të gjenerohen poashtu edhe vende të reja pune. Ministri Beqaj njoftoi poashtu se gjatë javës së ardhshme do të publikohet koncept dokumenti për ligjin e inovacionit i cili përfshin bizneset startup, angel investors, dhe inkubatorët, ndërsa përmendi se janë duke punuar në draftimin e strategjisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion.
Në vazhdim, pjesëmarrësit në këtë tryezë patën mundësinë të shfaqin pikëpamjet e tyre mbi këtë program, duke shtuar si të rëndësishme një iniciativë të tillë në mbështetjen e sektorit privat nga kjo ministri.