Furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike për sektorin privat është kyç në veprimtarinë e bizneseve. Mungesa e prodhimit të mjaftueshëm në këtë sektor reflekton në joqendrueshmëri të furnizimit e që pastaj rezulton në humbje të shumta për bizneset.
Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua mbi çështjen e situatës aktuale të furnizimit me energji elektrike në vend.
Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, njoftoi të pranishmit me gjendjen aktuale në vend në aspekt të furnizimit me energji elektrike. Ai tha se Ministria që ai drejton angazhohet vazhdimisht në mënyrë që t’iu përshtaten kërkesave të tregut duke siguruar kështu furnizim stabil të energjisë si për bizneset ashtu edhe qytetarët. Ministri Lluka shtoi se ndërprerjet të cilat zakonisht bëhen janë kryesisht nga mbingarkesa dhe punimet e kohëpaskohshme në rrjetin elektrik dhe se nuk ka reduktime për arsye të mungesës së prodhimit sepse energjia e munguar po sigurohet nga importi.
Lluka tha gjithashtu se për shkak të aryeve politike, për mos përmbushje të marrëveshjeve me Serbinë, nuk ka mundur të futet në funksion linja e interkoneksionit me Shqipërinë, gjë që ka vonuar investimet e planifikuara të KOSTT.
Petrit Pepaj, Drejtor Menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji, tha se ky institucion që na viti 2015 deri më tani ka lehtësuar çështjen e furnizimit të energjisë për bizneset duke iu ofruar zbritje prej 15%. Ai përmendi nivelin jostabil të energjisë kohëve të fundit si pasojë e mungesës së qëndrueshmërisë së termocentraleve, duke përmendur mungesën e kapaciteteve të reja në këtë sektor si pengesën kryesore në zhvillim të saj. Pepaj tha se konsumatori është prioriteti kryesor i ZRrE e cila është duke punuar në monitorimin e furnizimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike në mënyrë që të shmangin ndërprerje të panevojshme të energjisë.
Më tutje, bizneset e pranishme patën rastin të adresojnë shqetësimet dhe sfidat kryesore që po hasin në këtë aspekt duke iu bërë thirrje institucioneve relevante për gatishmëri në këtë drejtim.