(2LONLINE) – Në pikëkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, që gjinden në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, janë krijuar kolona me pritje të gjata në dalje nga vendi ynë për në Serbi.
Pritjet në këtë kohë në dalje të pikëkalimit kufitar Merdare po zgjasin nga 2-3 orë, ndërsa te Dheu i Bardhë nga 3-4 orë dhe kolonat janë të gjata 2-3 kilometra, njofton sot Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës.
Sipas kumtesës së PK-së, e gjithë kjo pritje po bëhet për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe qytetarëve të cilët po shfrytëzojnë këto dy pikë kalime kufitare, për tu kthyer në vendet prej nga kanë ardhur për festat e fundvitit, por edhe punës jo efikase të autoriteteve serbe.
Në pikë kalimin kufitar Dheu i Bardhë pritjet e gjata i ka krijuar edhe ndërprerja e punës së përkohshme nga pala serbe për shkak të vendosjes së një kontejneri në atë vend kalim kufitar, ku ajo ndërprerje tani ka përfunduar.
Me qëllim të përshpejtimit të punës dhe krijimit të mundësisë së qarkullimit më të shpejtë dhe evitimit të pritjeve të gjata të qytetarëve, Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet e veta të punës duke angazhuar zyrtarë policorë shtesë, si dhe ka informuar institucionet e vendit, në mënyrë që ato, përmes mekanizmave ndërkombëtarë të kërkojnë përshpejtimin e punës nga autoritetet policore serbe.
Në pikëkalimet tjera kufitare qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht dhe pa pritje të gjata. (KosovaTimes)