Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, i shoqëruar nga zëvëndësdrejtori, Agim Asllani, ka organizuar një pritje për nxënësit e kësaj shkolle dhe trajnerin e tyre Blerim Shala, të cilët ditë më parë janë shpallur kampion të Kosovës në Volejboll, në garat të cilët janë mbajtur në Malishevë.
Ky ekip i nxënësve, pasi ka dalë fitues në garat komunale e rajonale, ka shkëlqyer edhe në garat republikane, duke i mundur të gjithë kundërshtarët dhe me plotë meritë dolën të parët.
Drejtori Bekim Mustafa, që i ka uruar për këtë sukses, ka thënë se këta nxënës e kanë bërë krenarë jo vetëm shkollën tonë, por edhe mbarë qytetin e rajonin dhe ka rikujtuar se nuk është e lehtë që të dalësh i pari në nivel vendi edhe atë në një konkurrencë të fortë.
“Krejt ai mund, ajo djersë e derdhur, ato përgatitje të mundimshme e të gjata në fund iu janë shpërblyer. Na keni bërë krenarë e na e keni zbardhë fytyrën. Ju e keni merituar këtë sukses, andaj pata dëshirë që të ju takoj dhe të ju uroj secilin veç e veç”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa, i cili u ka shpërndarë mirënjohje nxënësve fitues.
Mësimdhënësi, trajneri e pedagogu i Kulturës Fizike dhe Sportit, Blerim Shala, ka thënë se këta nxënës, me lojën dhe sjelljet e tyre, me kulturën e lartë të dëshmuar dhe me fair-play-in e treguar e bënë për vete mbarë publikun.
Shala në një bisedim miqësor, ku janë kyçur edhe nxënësit pjesëmarrës ka folur për sfidat që nga dita e parë kur kishte formuar ekipin e deri në finalen e madhe të fituar, i bindur se kjo gjeneratë premton shumë, se edhe viteve të tjera do të luajnë bashkë dhe se do të sjellin edhe shumë suksese në të ardhmen. /2LONLINE/