(Zamira Rexhepaj, “Pritje pa pranga”, Botoi “Artini”, Prishtinë, 2016, f. 254)
Nga: Nexhat Rexha
Rrëfimet në tekstet letrare karakterizojnë kompleksitetin më konspirativ në shfaqjen e dukurive shoqërore. Ato vijnë me rrjedhat e kohëve, të cilat bartin në vete elemente të ndryshme. Aktualitetet prodhojnë të bukurën dhe misterin. Në këto rrjedha të paimagjinueshme e të komplikuara, vijnë edhe dukuritë që shëmtojnë ecjet e njeriut nëpër labirintet e kohëve.
Bota e librit dhe bota jashtë librit i ka edhe kontrastet e veta, sepse ato sikur ngushtojnë optikën e tyre, si dhe e vejnë botën në horizontet e dukshme dhe të padukshme. Dukuritë e ndodhive të zakonshme trajtohen në pamjen e dukshme e të mundshme, kurse dukuritë e sponsorizuara kanë fshehtësinë e tyre, e që ato kalojnë nëpër laboratorin e mistereve të sofistikuara. Bota e artit me gërshetimin e imagjinatës arrin nëpër këto depërtime, të cilat përmbushin kriterin e reales dhe të mundshmes.
Në këto kondita artistike vjen edhe romani i Zamira Rexhepajt “Pritje pa pranga”, rrëfimet e zhvillimit të ngjarjeve që në hyrje kanë një parathënie apo prolog, i cili paralajmëron ekzistencën përtej këtyre prangave të ngushtuara në botën shpirtërore të protagonistëve të romanit. Ata bartin, ruajnë, aktualizojnë, ndrydhjet e situatave më të komplikuara të të ndodhurave në jetë.
Qasja e rrëfimit si dhe parashtrimi i kompozicionit, krijojnë situata të kërkimit për të bukurën në përditshmëri, këto parashtrime sa vijnë e komplikojnë përditshmërinë e protagonistëve të romanit. Ata vijnë me ide për të bërë sa më të bukur të ardhmen. E si mund të krijojë këtë ardhje të lumtur një popull i dalë nga robëria, kur jeta e robërisë ka bartur e ruajtur elemente nga më të shëmtuarat në jetën e njeriut tonë.
Në këto hapërime ngjarjesh e kohësh, protagonistët e Zamirës i kanë në vete të ruajtura të dy tiparet e botës, ato brumosin protagonistët e romanit më realen dhe imagjinatën. Ngjarja e romanit parashtrohet në kryeqytetin e Kosovës, aty ku frymon jeta e vendit tone, aty ku pas luftës flitet e përflitet gjithçka. Aty ku fillon e rifillon e bukura dhe keqja. Në këto vlime kohësh veprojnë edhe protagonistët e Zamirës, aty është ruajtur memoria e diturisë dhe prangosja e të kaluarës.
Romani “Pritje pa pranga”, ka ndarje në katërmbëdhjetë kapituj, të cilët ndërlidhin ngjarjet dhe protagonistët bartin rrëfimin e tyre në kontinuitet. Kryeprotagonisti i romanit, Gjyshi bartë e ndërlidh ngjarjet me nipin e tij Gëzimin, ata jo vetëm që janë bartës të të gjitha pjesëve të rrëfimit, por njëkohësisht janë edhe bartësit e zhvillimit të ngjarjeve në roman. Lidhja e tyre krijon ngjarje dhe ruan pritjen e lirë pa pranga, e cila nuk duket në horizont, ajo ka refleksionin e të dëshirueshmes, por që situatat ndodhin pa justifikime.
Autorja ngjarjet i ka trajtuar në kontinuitet të zhvillimit të lire, vetë bartësi i këtyre proceseve Gjyshi, është përceptues koherent i të gjitha ndodhive në jetën e familjes së tij. Ai ka edukuar nipin e tij Gëzimin me dinjitet, duke ruajtur misterin e jetës së tij deri në çastin e fundit të jetës. Romani që nga fillimi, të duket se protagonistët e tij bartin vetëm dhimbje e situata të mundimshme, ato vijnë si pasojë e dukurive të përgjithshme në shoqëri. Vetë jeta në Kosovën e pas vitit 1999, ka ambientuar optimizmin dhe pesimizmin, duke krijuar situata nga më kontroverset në shoqërinë kosovare.
Në këto rrethana të krijuara, në këto dhjetë vitet e para të këtij shekulli dhe pavarësia e Kosovës, për gjeneratën e re i ka dilemat e veta, ato komplikojnë jetën tonë, me atë që flasim për të kaluarën dhe atë që jemi duke ndërtuar. Në roman protagonistët bartin situata të pritjeve për ndryshime, ato ndodhin me zhvillime të tensionuara, aty ku jeta bartet e kërkon shërimin e njeriut me betimin e Hipokratit nuk përkon me aspiratën e lirisë.
Rrëfimet në vete karakterizojnë realitetin e brendshëm të proceseve shoqërore në Kosovë, ato reflektojnë punën në institucionet e vendit, si në ato sociale, shëndetësore e deri te punët edhe në organet më te ndjeshme të shtetit ku vepron ligji. Këto pika ballafaquese janë prekur si blic inserte, të cilat paraqesin realitetin e dukshëm e të pranueshëm për secilën shtresë të lexuesit.
Qëndrueshmëria e ngjarjeve bartet me objektivizëm, sepse rrëfimet kanë narracion të kuptueshëm dhe ato në vete parashtrojnë ndikimin e pëlqyeshëm te lexuesi. Jeta në familje dhe dialogimet që barten përmes kryeprotagonistëve të saj bartin mesazhet e situatës konkrete në realitetin tonë, ato janë të dukshme, sepse shpërngulja e shqiptarëve për në Evropë dhe kalimi ilegal nëpër kampet hungareze, paraqesin ngjarjet më të reja të eksodit tonë. Ato janë pasqyrim i ikjeve të vazhdueshme, si plotësim i elementit ekonomik që ka për pasojë jetën sociale. Në një mënyrë po vazhdon rruga e kurbetit, ajo edhe më tej mbetet plaga jonë, ajo nuk po zhduket, përkundrazi, ajo po e ruan traditën e largimit nga vendi ynë, për fatin e popullit tonë për të keq.
Nga ky realitet i hidhur, pastaj krijohen e vijnë pasojat edhe te dashuria e Gëzimit dhe Mimozës. E keqja ngacmon, ajo ndalon dy dashuri, ata përjetojnë dhembjet e vdekjet e tyre në familje për më të dashurit e tyre, si për Gëzimin, po ashtu edhe për Mimozën. Në këto ndodhi të rënda familjare, vijnë testamentet e ruajtura me kujdes nga Gjyshi e xhaxhai i Gëzimit. Këshillat e Gjyshit gjithmonë kanë prodhuar edukatën, dashurinë, fisnikërimin për jetën e të ardhmen e Gëzimit, në fletoren testament janë shënuar të vërteta shumë komplekse, të cilat befasojnë e të krijojnë dilemën për të ndodhurat e dikurshme, por që ato komunikojnë realitetin në parashtrimet e tyre.
Pritja si katarsë ka prangimet e veta, ajo specifikon me diskreten e të mundshmes, kur jeta e njeriu ka aq fshehtësi dhe smirëzi në veprimet e padukshme të saja. Letrat dhe fotografitë e dërguara për Gëzimin e Mimozën, janë pika kulminante të të keqes që bashkëjeton në të gjitha kohët. Traumat shpirtërore krijohen nga fuçia ndjellakeqe e konstruksionit që krijojnë alternativat me misione e skenare nga më të ndryshmet. Dhe jeta nuk ndalon, ajo pikëtakon ëndrrën dhe shpresën, ajo rrezaton edhe atëherë kur humbet shpresa. Zamirja beson në jetën e bukur, ajo pikturon përmes protagonistëve të saj të ardhmen me pikësynim kah ndryshimi për njeriun e vendin tonë.
Protagonistët e saj, flasin e veprojnë ashtu siç dikton e jeta, ajo ka ilustruar bindshëm veprimet e babait jo real të Gëzimit. Njëkohësisht, Rozafa me tërë angazhimin e saj që ka bërë për Gjyshin e Gëzimit, ndëlidh veprimet njerëzore për të bashkuar- rikthyer dashurinë e Mimozës dhe Gëzimit.
Romani ka përfundim dramatik me pritje e ankth për të cilin lexuesi me kureshtje kalon faqet e librit deri në fletën e fundit. Në këtë relacion veprimesh, kapitujt e romanit të japim imazhin biografik të protagonistëve, me tipare dalluese që krijon familja jonë në të gjitha kohët me veprimet e saja. Zamirja ka arritur të koordinojë e shpalosë edhe pjesë të jetës më ndryshe nga ajo që veprohet, heshtet e nuk duket, siç ishte babai real i Gëzimit.
Romani “Pritje pa pranga”, ka unifikimin e suksesshëm në rrafshin gjuhësor e rrëfimtar, të pranueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve. Ngjarjet e tërësishme lidhin protagonistët, fatet dhe ato të japin mundësinë e komunikimit në disa mënyra, të cilat tejkalojnë vështirësitë e melodisë së mërzitshme të jetës.
Pritja, karakterizon të ardhmen e dukshme si realizim artistik në rrethanat e reja që krijon shoqëria në vendin tonë. Zamirja, me veprën e dytë artistike, po realizon synimet e saja drejt objektivave më të avancuara në krijimtarinë e saj letrare. Kur kemi parasysh moshën e saj të re dhe vlerën që kanë dy librat e saj, padyshim se presim edhe shumë vepra të tjera në vazhdën e sukseseve më të avancuara në krijimtarinë artistike.