Komuna e Vitisë, pritet të bëhet komuna e parë në Kosovë që do të ketë shkolla të digjitalizuar. Kjo do të bëhet e mundur falë një projekti të përbashkët të kësaj komune me MASHT-in dhe Fondacionin Kosovë-Luksemburg. Kjo gjë u bë me dije sot pas një takim të përbashkët të mbajtur në mes të përfaqësuesve të këtyre insitucioneve.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim një delegacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës, në krye me drejtorin e Departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, z. Agim Berdynaj por edhe përfaqësues të Fondacionit Kosovë-Luksemburg.
Gjatë këtij takimi është bashkëbiseduar lidhur me një projekt për digjitalizimin e shkollave në Viti, që do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Vitisë, MASHT-it dhe Fondacionit Kosovë-Luksemburg e që ndër tjerash parasheh pajisjen me laptop dhe video projektor të shkollave brenda kësaj komune.
Në takim u bë me dije se realizimi i një projekti të tillë po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe atë në këtë komunë. Kurse vlera e projektit është rreth 100 mijë euro. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se gjysëmvjetori i parë shkollor në Viti po fillon mbarë pasi që së shpejti pritet të realizohet në këtë komunë projekti për digjitalizimin e shkollave.
“Sapo kemi filluar me gjysëmvjetorin e dytë shkollor dhe qysh në fillim kemi një lajm të mirë për arsimin në Viti, pasi që shkollat e komunës sonë në kuadër të një projekti të përbashkët do të digjitalizohen, konkretisht do të pajisim shkollat me laptop dhe video projektor. Digjitalizimi i shkollave është shumë i rëndësishëm, pasi që përmes tyre mësimdhënie dhe mësim nxënie do të jetë më i lehtë. Ky projekt në Viti, po realizohet falë bashkëpunimit të Komunës së Vitisë me MASHT-in dhe Fondacionin Kosovë-Luksemburg dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës”, u shpreh kryetari Haliti pas këtij takimi.