Në prag të ndeshjes së javës së gjashtë, ndaj SC Gjilanit, Prishtina ndërron sërish trajnerin. Kjo pasi tekniku i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli ofroi dorëheqje.
“Kam ofruar dorëheqje te drejtuesit e klubit për arsye shëndetësore. Më duhet të bëj një intervenim në gjurin e këmbës së djathtë dhe për këtë arsye pritet të mungojë për më shumë se dy muaj. Në bashkëpunim me drejtuesit e klubit kemi vendosur ta ndërpërejmë bashkëpunimin, pasi që zgjidhja më e mirë është që Prishtina të ketë një trajner i cili është afër ekipit”, ka thënë Sokoli në konferencën e jashtëzakonshme për media.
“Unë vazhdoj të besoj se ky ekip ka cilësi dhe potencial për të luftuar për titullin kampion. Organizimi brenda klubi është shumë i mirë dhe këta futbollistë kanë shumë cilësi. Ndaj unë dua të ju uroj vetëm suksese”, ka thënë ndër të tjerash Sokoli.
Sokoli i cili do të futet në sallën e operimit pas disa ditësh braktis ekipin pas më pak që kur mori drejtimin e klubit. Saktësisht më 4 shtator të këtij viti Sokoli kishte marrë drejtimin e klubit bardhekaltër që kishte shkëputur marrëveshjen me Mirel Josën.
Në anën tjetër, drejtuesit e Prishtinës kanë vendosur të emërojnë Armend Dallkun në krye të shtabit teknik.
Kështu ka konfirmuar Ahmet Kurtolli, anëtarë i kryesisë së klubit, i cili një gjë të tillë e bëri të ditur në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp.
“Ne do të orientohemi në kuadrat tona që kemi dhe skuadrën aktualisht do të udhëheq shtabi teknik i cili është aty me në krye Armend Dallkun”, deklaroi Kurtolli.