Sot, në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, u prezantua trajneri i ri i Perfaqesueses së Kosovës, Christos Marmarinos, i cili do ta drejtojë këtë muaj për herë të parë Kosovën në dy ndeshjet parakualifikuese për Botërorin 2023.
Më 20 shkurt, Kosova do të luajë si vendase në ndeshjen kundër Islandës, ndërsa tri ditë më vonë do t’i shkojë mysafire Luksemburgut. Të dyja këto ndeshje janë parakualifikuese për Botërorin e vitit 2023.
Për këto dy ndeshje, që do të jenë të parat për Marmarios si trajner i Kosovës, greku ia ka dhënë besimin e tij 17 lojtarëve të ftuar, ku vërehet mungesa e Lis Shoshit, i cili është ende i lënduar.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, bëri të ditur se kontrata e Marmarinos është trevjeçare dhe është shprehur entuziast për këtë projekt të ri.