(2L ONLINE) – Mbështetur nga Qeveria e Kosovës përmes Këshillit Ndërministror të Ujërave me financimin e GIZ-it, programit të adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor dhe përkrahur nga Komuna e Gjilanit, sot është prezantuar draft – projekti për menaxhimin e thatësisë, që po bëhet për herë të parë në Gjilan.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu ka thënë se ky plan i menaxhimit të thatësirave për kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, që po bëhet për herë të parë në Gjilan, është mëse i dobishëm dhe në shërbim të qytetarëve.
“Ky plan për menaxhimin e thatësirave që po bëhet për herë të parë në Gjilan është jashtëzakonisht i dobishëm dhe në shërbim të qytetarëve. Ky draft është një udhëzues se si të veprohet në raste të thatësirave natyrore. Në momentet kur kërkesat për ujë të pijes janë më të mëdha dhe burimet e ujit më të vogla, atëherë si të veprohet në rast të reduktimeve dhe kur ato janë më të përshtatshme që të aplikohen. Ne si institucione lokale jemi në shërbim të qytetarëve dhe në ndihmë të kompanisë. Në aspektin e infrastrukturës, jemi duke punuar vazhdimisht si në asfaltime të rrugëve poashtu edhe në ujësjellës dhe kanalizime, që janë një lehtësirë e madhe për funksionimin e kompanisë”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Ndërsa Brian Faulkner, konsulent i GIZ-it, ka thënë se ky plan – projekt, që po prezantohet sot është vetëm një draft që mund të plotësohet edhe më tutje. Ai ka bërë me dije se menaxhimi i thatësisë i përfshirë në këtë plan është hartuar në bazë të gjendjes faktike të kapaciteteve prodhuese të ujit dhe nevojave të konsumit. Gjithashtu, ai ka spikatur edhe humbjet e mëdha që bëhen në rrjet si dhe inkasimin shumë të ulët në raport me nevojat e zhvillimit dhe përfshirjes më të madhe hapësirës së Komunës.
Ndryshe prezantime ka bërë edhe Mumin Morina, shef i operativës në KRU “Hidromorava”, i cili ka shkoqitur detajet nga burimet e ujit që shfrytëzon Gjilanit, konfigurimin e rrjetit, masat që e zbatuara gjatë thatësirave të fundit, monitorimin përmes planit të hartuar nga GIZ, poashtu edhe matjen e burimeve, nevojave për konsum, furnizimin, humbjet dhe inkasimin.
Morina ka bërë të ditur se masat e propozuara në këtë plan janë për katër raste të ndryshme të hatësirave, si: normale, thatësirë e moderuar, thatësirë e rëndë dhe ekstreme. /2L ONLINE/