Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të 433 kadetëve të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës
***
Sot është një ditë krenarie për të gjithë ne!
Jam e nderuar që ndodhem para jush në këtë ceremoni diplomimi të kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës.
Të nderuar kadetë,
Ne sot festojmë suksesin tuaj, teksa ju betoheni si pjesëtarë të ri të Policisë së Republikës së Kosovës.
Dua t’ju shprehë mirëseardhje në këtë rrugëtim të ri në shërbim dhe në mbrojtje
të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në çdo cep të saj pa asnjë dallim.
Faleminderit për vendimin tuaj për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve tanë e suksese në rrugëtimin tuaj fisnik.
Policia buron nga qytetarët dhe gjithnjë është në shërbim të qytetarëve. Ju keni zgjedhur një profesion që kërkon guxim, disiplinë,vullnet dhe përkushtim për rend dhe ligj. Ndërsa niseni në këtë rrugëtim, dua t’ju kujtoj vlerat themelore të forcës sonë policore: integriteti, profesionalizmi, respekti dhe paanshmëria.
Si oficer policie, ju duhet të veproni gjithnjë në përputhje me këto vlera dhe duhet të jeni të përkushtuar për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia, bindjet apo rrethanat.
Si policë, nga ju pritet që të jeni qytetarë model të Republikës së Kosovës të cilët përkujdesen ta zbatojnë ligjin, ta luftojnë krimin, ta ruajnë rendin dhe të shërbejnë si kujdestarë të sigurisë publike.
Ju jeni ata që betoheni dhe garantoni se të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, do të ndihen të sigurt dhe që secili prej tyre do të trajtohet me dinjitet dhe me respekt.
Të nderuar të pranishëm,
Sot është një ditë fantastike për të festuar punën dhe angazhimin e pashoq të Policisë së Kosovës, e cila ndër vite mbetet një ndër institucionet më të besueshme nga qytetarët tanë.
Sot, Policisë sonë e cila është sinonim i një force multietnike, profesionale që përbëhet nga gra e burra nga të gjitha komunitetet nga i gjithë territori i Kosovës, po i bashkëngjiten edhe 433 kadetë të gjeneratës së re. Në mesin e të diplomuarve janë edhe 17 serbë, 5 boshnjakë, 2 goranë, 1 turk dhe 1 rom.
Në mesin e këtyre kadetëve, janë 53 vajza e gra. 53 gra të guximshme, të disiplinuara e të përkushtuara për t’i shërbyer vendit të tyre. Ju nga sot mbani përgjegjësi të dyfishtë: së pari të dashura vajza do t’i shërbeni vendit dhe qytetarëve tuaj me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë, e njëkohësisht, do të shndërroheni në model dhe inspirim për shumë vajza e gra të tjera të cilat do të ndjekin rrugën tuaj në vitet në vijim.
Kjo pjesëmarrje e grave në polici reflekton po ashtu angazhimin e përbashkët e serioz që të rritet numri i grave në radhët e Policisë së Kosovës, me ç’rast dua të përgëzoj edhe drejtuesit dhe gjithë shërbimin policor për angazhimin e tyre.
E tani është koha natyrisht që gratë të jenë edhe në krye të detyrave e funksioneve më të larta.
Besoj fuqishëm se pjesëmarrja e grave në polici, por edhe në të gjitha strukturat e sigurisë, është një investim i nevojshëm dhe i duhur në siguri të shtuar për të gjithë shoqërinë, e gjithë shtetit tonë.
Përmes Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u mbajt në tetorin e vitit e kaluar në Prishtinë, jemi munduar që të përçojmë pikërisht këto mesazhe. Sepse, sa më shumë vajza e gra në pozita vendimmarrëse përfshirë edhe në Polici, aq më shumë siguri do të ketë për qytetarët tanë e për shtetin tonë.
E sot, duke ju parë juve, dua edhe njëherë të inkurajoj Policinë e Kosovës të angazhohet vazhdimisht jo vetëm drejt rritjes së numrit të vajzave e grave në uniformë, por mbi të gjitha për avancimin e tyre në Policinë e Kosovës në pozita mbikëqyrëse, vendimmarrëse dhe udhëheqëse.
Diversiteti gjinor dhe etnik në Policinë e Kosovës është pasqyrim i shtetit tonë dhe reflektim i një mjedisi të sigurt, të cilin e meritojnë familjet, lagjet, komunat dhe e gjithë Republika jonë.
Gjersa flasim për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të punuar gjithnjë e më mirë e me profesionalizëm të shuar, dua të flas edhe për një kapitull të rëndësishëm të punës suaj. Policia e Kosovës prej dy dekadash ka treguar shkallë të lartë të profesionalizmit duke marrë pjesë në operacione rajonale e ndërkombëtare, sikurse edhe duke bashkëpunuar në mënyrë bilaterale e multilaterale me partnerë të shumtë, ndaj Republika jonë ka dëshmuar se i përmbushë të gjitha kriteret e për t’u bërë pjesë e organizatës ndërkombëtare INTERPOL, si dhe shumë e shumë organizmave të tjerë rajonal e ndërkombëtarë.
Prandaj, do të vazhdojmë që kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare nga miqtë e aleatët tanë që sa më parë edhe shteti ynë nëpërmjet Policisë sonë të jap kontributin në këto organizata.
Të nderuar kadetë,
Ju duhet të jeni krenarë me uniformën që keni veshur, të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm se përpara keni edhe sfida të shumta që duhen adresuar. Ju takon secilit në mënyrën e vetë, të punoni për një shoqëri të sigurt, të barabartë e të drejtë.
Kam besimin e fuqishëm se do t’i qaseni detyrave tuaja me seriozitet, mendje të hapur e përkushtim ndaj shërbimit me nder, respekt dhe llogaridhënie.
Ju nuk e përfaqësoni vetëm veten tuaj, por edhe gjithë Policinë e Kosovës, qytetarët e Kosovës dhe shtetin e Kosovës!
Keni punuar fort për t’u përgatitur për t’i përballuar sfidat e punës me të cilën jeni ngarkuar. Nga ju do të kërkohet të merrni vendime të vështira, ta zbatoni ligjin, e madje edhe ta vini në rrezik sigurinë tuaj për t’i mbrojtur të tjerët. Ky, natyrisht është detyrimi juaj i shenjtë, ky është misioni juaj, ndaj besoj se ju tashmë jeni të përgatitur për punën që ju pret. Kam bindjen e fuqishme që secili nga ju është i gatshëm ta bëjë këtë veprim, sa herë që të jetë nevoja.
Mbrojtja e kufijve të Republikës së Kosovës dhe ofrimi i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës është obligim i yni i përhershëm. Policia e Kosovës e ka bërë këtë në mënyrë të shkëlqyer ndër vite, e po vazhdon ta bëj këtë edhe sot.
Prandaj, dua ta shprehë mirënjohjen time të thellë dhe të falënderoj policët tanë, sidomos ata që po shërbejnë edhe në këto minuta për angazhimin maksimal të treguar gjatë zhvillimeve në veri të vendit, duke mbrojtur cdo cep të territorit tonë.
Ju keni dhënë maksimumin në menaxhimin e situatës me profesionalizëm, përkushtim e guxim në shërbim të atdheut, në funksion të mbrojtjes së rendit, ligjit dhe sigurisë publike.
Kjo është dëshmi se ju jeni gati kurdoherë kur ka nevojë për ta garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët tanë; për bashkëqytetarët tuaj.
Sundimi i ligjit është synim i çdoditshëm i juaji dhe i yni nga i cili asnjëherë nuk do të heqim dorë, sepse nëpërmjet kësaj ne ofrojmë siguri publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Siç jeni dëshmuar përgjatë këtij angazhimi, unë besoj fort se këtë e bëni çdo ditë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, shembullin tuaj do ta ndjekin edhe gjenerata e sapodiplomuar e kadetëve.
Për fund, të nderuar kadetë, dua t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta për secilin prej jush e për familjet tuaja për këtë ditë të veçantë. Mos harroni se po i bashkoheni një profesioni fisnik dhe se keni mbështetjen e respektin jo vetëm të familjeve tuaja, por të kolegëve tuaj, të institucioneve të Republikës së Kosovës e mbi të gjitha të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qofshi përherë faqebardhë e uroj të krenohemi përherë me punën tuaj!
Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës!