Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të themelimit të lëvizjes Paneuropa.
“Paneuropa e ka mbështetur popullin e Kosovës në kohët më të vështira, në vitet ’90, kur Otto von Habsburg, një mik i madh i Presidentit Rugova dhe i popullit tonë, u bë një nga kampionët më të fortë që avokonte për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Statusi i plotë i Presidentes Osmani:
Në 100-vjetorin e themelimit të lëvizjes Paneuropa, pata nderin t’i drejtohem lëvizjes më të vjetër evropiane për një Evropë të bashkuar politikisht dhe ekonomikisht.
Paneuropa e ka mbështetur popullin e Kosovës në kohët më të vështira, në vitet ’90, kur Otto von Habsburg, një mik i madh i Presidentit Rugova dhe i popullit tonë, u bë një nga kampionët më të fortë që avokonte për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë.
Edhe pas një shekulli veprimtarie, Paneuropa vazhdon të jetë platformë e fuqishme për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe paqësore.
Sa më shumë i kultivojmë vlerat të cilat i promovon kjo organizatë, aq më shumë do të ketë stabilitet, demokraci dhe paqe në Evropë.
Para miqve të Paneuropës theksova se, është tepër e rëndësishme që Evropa po dëshmon vendosmëri, duke qëndruar e bashkuar përballë agresionit, tiranisë dhe autokracisë. /2LONLINE/