Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe Kryeministrin Albin Kurti, sot kanë bërë nderime te memoriali për të Pagjeturit.
Presidentja Osmani ka thënë se sot e gjithë Republika e Kosovës, secili qytetar i saj bashkëndjenë me familjarët e mbi 1.600 të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë.
“Sot, e ripërsërisim që fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e mbi 1.600 familjarëve e më të dashurve tanë. Sot, po ashtu e përsërisim që në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për secilin prej tyre, vetëm atë ditë kur plaga e hapur e gjithë këtyre familjarëve, por që është plagë e jona e përbashkët, plagë e gjithë Kosovës do të mund të mbyllet, apo së paku të fillojë të shërohet për shkak se do të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve”, ka theksuar Presidentja Osmani.
E para e vendit në prani të të gjithë familjarëve që ishin prezent, ka thënë se kjo asnjëherë nuk do të jetë vetëm barrë e tyre.
“Nuk është barrë individuale, nuk është vetëm barrë e familjeve, është barrë e jona, të gjithëve bashkërisht. Sepse, ata janë njerëzit tanë, janë djemtë e vajzat tona. Janë të të gjithëve, janë të gjithë Kosovës. Prandaj, edhe barrën e kemi të përbashkët, plagën e hapur e kemi të përbashkët, dhimbjen e kemi të përbashkët”, ka thënë Presidentja.
Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, më tej ka theksuar zëri i familjarëve të të zhdukurve do të dëgjohet çdokund dhe se kërkesa parësore, themelore do të jetë zbardhja e fatit të më të dashurve të tuaj e tanë.
“I kujtojmë sot bashkërisht, për t’ia përkujtuar vetvetes sonë, gjithë rajonit edhe gjithë aleatëve tanë që për Kosovën nuk ka gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të zhdukurve me dhunë”, ka theksuar Presidentja Osmani. /2LONLINE.com/