Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministra, deputetë, korin diplomatik, dhe me familjarë të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, kanë bërë homazhe tek obelisku për personat e pagjetur, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Presidentja Osmani ka thënë se “ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm”.
Sipas Presidentes Osmani paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, familjarët, sikurse edhe e gjithë Kosova ende është në pritje të zbardhjes së fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm.
Paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Jemi të përkushtuar e të vendosur që fati i tyre të zbardhet, e vërteta të ngadhënjejë dhe drejtësia të triumfojë.