Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroazi, z. Hoyt Brian Yee.
Presidenti Thaçi dhe zëvendës ndihmës Sekretari Yee kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin, mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, ka shtuar presidenti.
Presidenti ka njoftuar zëvendës ndihmës Sekretarin Yee për sukseset më të fundit të Kosovës, zgjedhjet komunale dhe betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti jo shumicë.
“Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke folur për prioritetet e Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh se përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe transformimi i FSK-së mbesin prioritete konkrete, pa lënë anash prioritetet e përhershme që janë ekonomia dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Nga ana tjetër, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroazi, Hoyt Brian Yee, ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën.
“Perspektiva evropiane për Kosovën, si dhe për tërë rajonin, janë prioritete të SHBA-së”, u shpreh z. Yee.
Në këtë takim është biseduar edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku u vlerësua se Kosova është lider në rajon në luftimin e terrorizmit.