Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, kanë zhvilluar një takim me presidentin e Zvicrës, Alain Berset.
Presidenti Thaçi ka falënderuar atë për mbështetjen që shteti zviceran i ka dhënë popullit të Kosovës në periudhën e paraluftës si dhe në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
“Diaspora e madhe në Zvicër janë urë lidhëse dhe garantues i përhershëm i bashkëpunimit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka marrë mbështetjen e presidentit Zviceran për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Në këtë takim është biseduar për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i hapte rrugë anëtarësimit të dy shteteve në Bashkimin Evropian.
Presidenti Thaçi ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.