Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbledhur Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Presidenti Thaçi ka thënë se e ka përcjellë me vëmendje punën e Këshillit Konsultativ dhe i ka përgëzuar ata për angazhimin në përmirësimin e kornizës ligjore në Kosovë, ku tash promovohen dhe mbrohen më mirë edhe të drejtat e komuniteteve.
“Kanë qenë veçanërisht të rëndësishme angazhimet në promovimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, në fuqizimin e rolit të femrës në shoqëri dhe në çështjet e arsimit për komunitetet”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai e ka përkrahur edhe kërkesën e Këshillit Konsultativ për Komunitete për shtimin e buxhetit.
“Do të punojmë me institucionet relevante që vitin e ardhshëm të keni një buxhet që ju përgjigjet më mirë nevojave tuaja”, ka thënë ai.
Kreu i shtetit ka shtuar se dialogu në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë është prioritet i tij.
“Më vjen mirë të konstatoj se gjatë këtij viti kemi arritur të promovojmë edhe më shumë dialogun në mes komuniteteve. Vlen ta përmendi këtu themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ky institucion do të promovojë dialogun në mes komuniteteve të Kosovës dhe do të angazhohet për mbylljen e kapitullit të luftës për të gjitha komunitetet. Jeta më e mirë ndërtohet duke u pajtuar për bashkëjetesë, për bashkëpunim, për partneritet në mes të gjithë neve”, ka thënë ai.
Presidenti i vendit ka thënë se vitin e ardhshëm do ta shënojmë edhe dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës.
“Kjo festë do të jetë festë e të gjitha komuniteteve të Kosovës. Ju ftoj që të bëheni pjesë e përgatitjeve për shënimin e kësaj date të rëndësishme për Kosovën. Komunitetet janë pasuri e jona. Jemi krenarë që kemi ndërtuar një shtet mbi parimet e barazisë dhe të drejtave të garantuara për të gjitha komunitetet”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai u ka thënë anëtarëve të Këshillit Konsultativ për Komunitete se të drejtat e komuniteteve janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, e cila i referohet të gjitha dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve.
Një mekanizëm i rëndësishëm në realizimin e këtyre të drejtave, presidenti Thaçi ka thënë se është edhe Këshilli Konsultativ për Komunitete, prandaj është shumë e rëndësishme puna që bëhet për komunitetet dhe tërë Kosovën.