Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 20- vjetorit të çlirimit të vendit dhe hyrjes së trupave të NATO- s si forca paqeruajtëse në Kosovë, sot qëndroi në kazermën ,,Adem Jashari’’ në Komandën e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë.
Presidenti i vendit, njëherësh Komandant i Përgjithshëm i FSK-së, z. Hashim Thaçi u prit me rreshtim të kuadrateve të njësive të FSK-së nga ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama . Së pari, presidenti Thaçi së bashku me ministrin Berisha dhe komandantin Rama vendosën lule të freskëta tek ,,Obelisku i të rënëve për liri’’, në nderim të jetës dhe veprës së të rënëve .
Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi në fjalën e tij para ushtarakëve të rreshtuar tha: ,, Sot është kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju, në këtë ditë historik për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Këto ditë po shënojmë 20- vjetorin e lirisë së vendit dhe popullit tonë. Sot kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë me nderim dhe respekt Komandantin Legjendar Adem Jashari, kujtojmë me nderim dhe respekt sakrificën e çdo qytetari të Kosovës.
,,Të nderuar ushtarë, nga aspirata dhe angazhimi i popullit për liri keni lindur edhe ju, e kishim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e transformuam në Trupa Mbrojtëse të Kosovës e pastaj e themeluam edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Para pak muajsh morëm edhe vendimin historik për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Gëzuar juve dhe nderime e respekt më të lartë për punën tuaj profesionale. Urime Kosovë, urime popullit të Kosovës’’.
“Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës është e mishëruar me këtë dëshirë për liri dhe me gatishmërinë për të mbrojtur paqen për çdo qytetarë të Kosovës, në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë profesionale e standardëve të NATO-s, është Forcë shumetnike që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që kemi arritur, atë që kemi ndërtuar së bashku, Po punojmë seriozisht që edhe ne sa më parë të jemi pjesë e NATO-s’’, përfundoi fjalimin e tij presidenti i vendit, me rastin e 20- vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.