Presidenti i BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti, do ta vizitojë Kosovën më 18 prill gjatë një turneu në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgatitje për takimin vjetor të Bankës për vitin 2019 që do të mbahet në Sarajevë në muajin maj. Kjo është vizita e parë e Presidentit që nga viti 2016.
Gjatë qëndrimit të tij njëditor, Presidenti Chakrabarti do të takohet me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë Kryeministrin Ramush Haradinaj, Ministrin e Financave Bedri Hamza dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.
Në takimet e tij, kreu i BERZH-it do ta ritheksojë zotimin e Bankës ndaj shtetit dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu do ta riafirmojë qëndrimin e Bankës si një partner strategjik i Kosovës dhe investitor kryesor institucional me mbi 363 miliona euro të investuara deri më sot në 63 projekte. Fokusi i Bankës në Kosovë është në përkrahjen e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, përmirësimin e sigurimit të energjisë, qëndrueshmërinë dhe konektivitetin mbështetës si dhe në integrimin rajonal.
BERZH i shtoi aktivitetet e saj në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar dhe investoi më shumë se 1.1 miliarda euro përmes 67 projekteve. Përgjatë gjithë rajonit, synohet ruajtja ose rritja e lehtë e këtij niveli. Në Kosovë, BERZH po e synon një rritje të ndjeshme të investimeve, nga 52 miliona euro sa ishin në vitin 1982, në 100 miliona euro gjatë periudhës së ardhshme.
Qyteti i Prishtinës iu bashkua programit të gjelbërimit urban të BERZH-it, ‘BERZH Green Cities’, në fund të vitit 2018. Kjo do ta ndihmojë qytetin në identifikimin e veprimeve dhe investimeve prioritare që do të implementohen gjatë përmirësimit të infrastrukturës së saj.