Sot presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në cilësinë e Komandantit Suprem të FSK-së bëri një vizitë në Komandën e Forcës Tokësore të FSK-së. Presidenti u prit nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë të FSK-së, oficerë madhorë, oficer, nënoficerë, ushtarë dhe kadetë të FSK-së.
Në fjalimin drejtuar të pranishmëve në sallën e madhe të Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së (KFT), presidenti Thaçi mbajti një fjalim, ku shprehu angazhimet e tij si President për çështje të rëndësishme të aktualitetit politik, shtetërorë e ndërkombëtar. Ai foli për procesin e liberalizimit të vizave, për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, për dialogun e Kosovës me Serbinë dhe procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.
Në fjalën e tij për FSK-në presidenti Thaqi ndër të tjera theksoi se: “Forca e sigurisë së Kosovës me profesionalizimin e vet është krenari e çdo qytetari të Kosovës, ju duhet të ndiheni mirë se jeni institucioni më i besuar dhe më i respektuar i qytetarëve të Kosovës, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Me angazhimin e çdo pjesëtari të FSK-së, ajo sot është një forcë që matet me profesionalizmin, me aftësim me çdo forcë të shteteve të NATO-s. Nuk e kam fjalën vetëm për përgatitjen profesionale dhe ushtarake, por për frymën e gjithë përfshirjes dhe tolerancës që ju keni zhvilluar. Prandaj ju përgëzoj të gjithëve, gjeneral Rama, ju gjeneral të tjerë, epror, oficer e ushtarë.
FSK gjithmonë në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët tjerë perëndimor ka arritur në pikën ku është e gatshme që sot të marrë përgjegjësi shtesë atë të një ushtrie të vërtet. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës tani më definitivisht ka hyrë në fazën e fundit, kjo nënkupton që në muajt në vijim në Kuvendin e Kosovës të miratohen tri ligje për FSK-në, në një procedurë krejt të rregullt. Ligji për mandatin e ri të FSK-së. Ligji për statusin e pjesëtarëve të FSK-së dhe Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes.
Deri këtu tash e dy dekada kemi arritur në partneritet të plotë së bashku me SHBA-të dhe me NATO-n. Me këtë partneritet do të vazhdojmë deri në zyrtarizmin e Forcave të Armatosura të Kosovës, duke marrë pjesë në programet e NATO-s dhe deri në ditën kur të jemi të gati të jemi pjesë e Aleancës Veri Atlantike. Prandaj si Komandant Suprem i FSK-së sot, dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës së shpejti, e them me bindje të plotë se kjo forcë është dhe do të mbetet krenari e kombit. Forcat e Armatosur te Kosovës do të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ne Kosovë por edhe më gjerë. Do të jetë ushtri multi etnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në çdo pjesë Republikës së Kosovës. Hapi kryesor edhe këtu është bashkimi i të gjithëve rreth një synimi rreth një vizioni”.