Në komunën e Preshevës kanë filluar ardhjet e mërgimtarëve, kjo vërehet nëpër rrugët e qytetit ku janë të ngarkuara me vetura luksoze dhe fluks të madh të njerëzve. Në fytyrat e mërgimtarëve shihet një gëzim, një mall i papërshkrueshëm për të ardhur në vendlindje, sepse ndjejnë mall të pashuar për të.
Këtë e pamë edhe në fytyrën e një të riu nga Presheva, Burim Hasani i cili jeton dhe punon në qytetin e Cyrihut në Zvicër dhe shpalosi gëzimin e nostalgjinë që ka për vendlindjen.
“Jam shumë i lumtur që erdha në vendlindjen time e cila më mungon shumë, ndjej mall për të e shoh shpesh në ëndërr dhe mezi pres të vij në pushime” deklaroi për Titulli.com, Burim Hasani.
Edhe Bekim Maliqi nga Presheva, i cili jeton dhe punon në Saint Galen në Zvicër ardhja e gëzon dhe shprehet se do të çmallet me familjarët dhe vendin e tij të lindjes.
“Ardhjen në pushime mezi e prisja, dhe ja që erdhi momenti që të kënaqem në shtëpinë time në Preshevë dhe në vendlindjen time në fshatin Elez Bali”, është shprehur Maliqi.
Ai ditën e dytë të pushimit ka shkuar në fshatin e tij, atje ku ka lindur dhe është rritur.
“Jam emocionuar shumë, por ç’të bësh jeta dhe kushtet ekonomike na diktuan që ne të marrin rrugën e kurbetit”, theksoi Bekim Maliqi.
Fluksi i madh i ardhjes së mërgimtarëve vazhdon të rritet gjatë mesit të muajit korrik, ku edhe fillojnë dasmat e ndryshme familjare.
Mërgimtarët që jetojnë përkohësisht në vendet e ndryshme perëndimore, mbeten shtylla kryesore e ekonomisë familjare në Luginë, ndërsa vendi i tyre i lindjes në kompensim i ofron mundësi për të shpenzuar para dhe asgjë më shumë.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=15452