Premtuan publikisht në gala mbrëmje se do të ndihmojnë ndërtimin e 100 shtëpive për shqiptarët e Luginës me kushte të rënda ekonomike, tani një numër të konsiderueshëm të tyre sikur e ka lëshuar dheu.
Pas premtimit të rrejshëm të “donatorit” nga Moska se do të japë 1 milionë euro tani doli të jetë gënjeshtar edhe premtuesi i 270 mijë eurove nga kryeqyteti i Bosnje e Hercegovinës, Sarajeva.
Behar Emini bëri gënjeshtër milionëshe derisa shokë me Beharin në gënjeshtra është bërë edhe Zenel Gashi nga Sarajeva i cili premtoi ndihmë për ndërtimin e 100 shtëpive me një vlerë prej 270 mijë eurove.
“Të gjitha premtimet mbi 10 mijë euro kanë dështuar, ndërsa ato që ishin nën 10 mijë euro shumica e kanë kryer obligimin e vetë, ndërsa disa janë në fazën e kryerjes së obligimeve të marra”, ka thënë gjatë një interviste për TV Spektrin, kryetari i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore (FHKL), Xhelal Memeti, organizatë e cila mori iniciativën për ndërtimin e këtyre shtëpive, transmeton Titulli.
Ai tha se ka pas donatorë të tillë që kanë pritë përfundimin e gala mbrëmjes së mbajtur në Prishtinë që u transmetua drejtpërdrejt nga RTK, për të dhënë nga 10 mijë euro.
“Pra kemi raste që kanë premtuar publikisht se do të japin 10 mijë euro dhe më pas nuk janë lajmëruar si dhe ata që pas gala mbrëmjes janë paraqitur dhe kanë dhënë 10 mijë euro”, u shpreh Memeti.
Kryetari i FHKL Xhelal Memeti
Siç transmeton Titulli pjesë të intervistës, gjatë konkursit të hapur për konkurrim të familjeve në nevojë, janë paraqitu mbi 200 kërkesa për ndërtim të shtëpive.
Sipas Memetit, i cili së bashku me anëtarët e FHKL-së këto ditë po qëndron në Luginë, në terren është parë një gjendje shumë e rëndë dhe katastrofike, ndërsa ai shpjegon se prioritet në ndërtimin e shtëpive do të kenë familjet që janë në situatë më të rëndë.
“Bujanocin jemi duke e pa më prioritare për arsye se në Medvegjë vetëm se ka ndodhë ajo zbrazje marramendëse dhe ne jemi duke u friku që e njëjta mos t’i ndodhin edhe Bujanocit. Në këtë komunë jemi të fokusuar pak më tepër duke marrë parasysh se numri i shqiptarëve me nacionalitet tjera është më i ngushtë”, tha kryetari i FHKL, Xhelal Memeti.
Sipas përfaqësuesit të kësaj organizate me seli në Zvicër, ndërtimi i shtëpive do të fillojë në pranverën e vitit 2014-të, ndërsa nga aplikuesit do t’i jepet më tepër përparësi familjeve me kushte më të rënda dhe të cilët kanë fëmijë.
Memeti theksoi se për momentin nuk kanë shifër të caktuar të mjeteve që janë grumbulluar pasi që gjendja në llogarinë bankare ndryshon në çdo moment dhe se për këto mjete përkujdeset arkëtari dhe sekretari i organizatës.
Mirëpo, nga mjetet që janë grumbulluar deri më tani mund të thuhet se do të ndërtohen 10 shtëpi e më tepër.
FHKL me këtë rast ka bërë thirrje për të vazhduar aksionin për të ndihmuar familjet shqiptare në Luginë të Preshevës duke ia siguruar nga një shtëpi atyre më të rrezikuarve, dhe në këtë mënyrë duke parandalu shpërnguljen nga këto vise shqiptare.
“Gala mbrëmja e mbajtur në Prishtinë ishte vetëm fillimi i aksionit derisa ai vazhdon deri në përmbylljen e aksionit për ndërtimin e 100 shtëpive”, tha ndër të tjera kryetari i Fondit Humanitar të Luginës së Preshevës, Xhelal Memeti.