Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, kanë bërë pranim-dorëzimin e projektit Platforma Digjitale për Fermerët e Komunës së Gjilanit.
Platforma Digjitale për Fermerët e Komunës së Gjilanit (PDFKGJ), është zhvilluar nga studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ-së, Erletë Baliqi, Avdi Ajvazi, Blendi Limoni, Denis Aliti dhe Elham Rahimi, kurse është udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni në asistuar nga Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi.
Me rastin e pranim-dorëzimit të projektit, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e suksesshëm mes universitetit dhe komunës në këtë projekt inovativ. Po ashtu Rektori Dërmaku ka përgëzuar studentët për punën e palodhshme dhe për talentin e tyre që kanë treguar se kanë potencial për të ndryshuar për të mirën në komunitetit e Komunës.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, vlerësoi kontributin e studentëve dhe stafit të universitetit në zhvillimin e kësaj platforme dhe shprehu bindjen se ky projekt do të sjellë shumë përfitime për fermerët dhe për zhvillimin e përgjithshëm të bujqësisë në komunën e Gjilanit. Ai inkurajoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Universitetit dhe Komunës për të adresuar sfidat e teknologjisë edhe në sektorët tjerë.
Platforma Digjitale për Fermerët e Komunës së Gjilanit mundëson:
– Menaxhimin e përdoruesve, siç janë: fermerët, komisionarët, zyrtarët, drejtori dhe IT administratorët;
-Menaxhimin e aseteve të fermerëve;
-Aplikimin online të fermerëve për thirrjet që shpallen nga Komuna, respektivisht Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari;
-Shqyrtimi i aplikimeve;
-Shqyrtimi i ankesave;
-Pranimi i kërkesave të fermerëve;
-Gjenerimi i raporteve dhe statistikave interne;
Publikimi i rezultateve preliminare dhe përfundimtare;
Njoftimi me e-mail për rezultatet preliminare dhe përfundimtare.
Përmes kësaj platforme, studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht ata të Shkencave Kompjuterike, kanë bërë të mundur modernizimi përmes digjitalizimit, të sektorit të bujqësisë dhe pylltarisë në zonën e Gjilanit. /2LONLINE/