Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, zëvendëskryeministren e dytë, Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadorën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder bënë sot homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton” për të përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre” deklaroi kryeministri Kurti, pas homazheve. Ai shtoi se populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan dhe se sot, 21 vjet më vonë, duke vendosur lule të freskëta pranë memorialit “po nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan”.
Prononcimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Me 11 Shtator të vitit 2001, bota u trondit nga lajmi dhe shokua nga pamjet e sulmeve terroriste të cilat vranë 2977 qytetarë dhe në këtë mënyrë shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist i cili ndryshoi gjithë botën.
Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan.
Me Presidenten e Republikës dhe zëvendësambasadoren amerikane vendosëm lule të freskëta, këtu në memorialin që kujton këtë ngjarje dhe na e përkujton që mos ta harrojmë kurrë se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë sepse ato vazhdimisht janë në rrezik. U prehshin në paqe të gjitha viktimat dhe jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /2LONLINE/