Policia e Kosovës vlerëson se situata e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe stabile, e përcjellë nganjëherë me disa incidente të natyrave të ndryshme, por që është arritur të menaxhohen nga institucionet relevante të sigurisë, e që në asnjë mënyrë nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme, thuhet në një deklaratë të Policisë.
Bazuar në mandatin e saj, Policia e Kosovës ushtron autorizimet dhe kompetencat e saja ligjore dhe kushtetuese, në shërbim të plotë ndaj qytetarëve, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt, në funksion të garantimit të lëvizjes së lirë për të gjithë.
E drejtë themelore e çdo qytetari është të jetuarit dhe të vepruarit e lirë dhe pa frikë, pa dallim moshe, gjinie, race, përkatësie fetare apo etnike, e që është interes parësor i yni në përmbushjen dhe respektimin e plotë të tyre.
Vizioni i Policisë së Kosovës, veprimtarinë e vet policore e orienton drejt ofrimit të sigurisë, zbatimit të ligjit dhe parandalimit të krimit, gjithnjë me përkushtim në shërbim të qytetarëve për të promovuar ambient të qetë dhe të sigurt. Gjithashtu misioni ynë është të përmirësojmë cilësinë e shërbimit për qytetarët, duke iu ofruar kushte maksimale për mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtave themelore të çdo individi.
Përmes luftimit të dukurive negative dhe të gjitha llojeve të krimit, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve profesionale, efektive, efikase, duke demonstruar sinqeritet, ndershmëri, transparencë dhe llogaridhënie, në përmbushjen e misionin tonë duke avancuar edhe më tej ngritjen e “besueshmërisë dhe kënaqshmërisë “ karshi publikut.
Bashkëpunimi ynë me komunitetin dhe bashkërendimi i aktiviteteve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë mbetet prioritet i yni i vazhdueshëm, i cili ndihmon në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe avancimin e partneritetit të Policisë së Kosovës me qytetarët.
Ky angazhim reciprok i Policisë me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe me akterët tjerë, do të ndikojë për një jetë pa frikë nga krimi, por edhe do të kontribuojë në luftën kundër kriminalitetit dhe parandalimit të të gjitha dukurive negative në shoqëri.
Andaj, inkurajojmë të gjithë qytetarët që përmes informimit dhe raportimit të rasteve kriminale, të ndihmojnë Policinë e Kosovës në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të të gjitha rasteve kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të veprave penale, thuhet në një deklaratë të Policisë
.