“Në Luginë të Preshevës po bëhet ndryshim artificial i strukturës së popullsisë që është antiligjore dhe antikushtetues”, vlerëson Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) veprimet e administratës policore serbe që po fshinë nga regjistri banorët e këtyre komunave, kryesisht shqiptarë.
Këshillit Kombëtar Shqiptar duke u thirrur në nenin 15 alineja 1 të Ligjin për qasje në informacionin të rëndësisë publike ka kërkuar nga organet e Policisë, përkatësisht Stacionit policor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë sikur edhe Administrata Policore në Vranjë dhe Leskocë informacion rreth pasivizimit të vendbanimeve në Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Deri më sot, Stacionet Policore në Preshevë dhe Bujanoc nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së KKSH-së, për deri sa Stacioni Policor në Medvegjë është përgjigjur negativisht dhe se nuk posedon informacione të tilla.
Gjithashtu, Administrata Policore në Leskocë ende nuk është përgjigjur, ndërkaq Administrata Policore në Vranjë është përgjigjur dhe ka nënvizuar se në Komunën e Preshevës se për vitin 2012 policia ka pasivizuar vendbanimin 5 qytetarëve ndërkaq, për vitin 2013 polica ka pasivizuar vendbanimet 19 qytetarëve.
Për Komunën e Bujanocit në vitin 2012 policia i ka pasivizuar vendbanimin 52 qytetarëve ndërkaq për vitin 2013 ka pasivizuar vendbanimet 48 qytetarëve.
“Vetëm në komunat Preshevë dhe Bujanoc i janë pasivizuar vendbanimet 124 qytetarëve duke u thirrur në Ligjin mbi vendbanimet dhe vendqëndrimet”, shpreh shqetësimin përmes një kumtese Këshilli Kombëtar Shqiptar, transmeton Titulli.
KKSH me seli në Bujanoc konsideron se veprimet e tilla të Policisë janë të papranueshme dhe procedurat e ndjekura nga Policia janë në dis-harmoni me sistemin juridik të vendit.
“Gjykojmë veprimet e tilla marrë parasysh zbatimin selektiv të dispozitave ligjore edhe procedurave të ndjekura ligjore. Andaj fton të gjithë institucionet publike dhe politike të mobilizohen për të shqyrtuar këtë çështje shqetësuese për shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse me pasivizimin e vendbanimit të qytetarëve të këtij rajoni i mohohen edhe të drejtat tjera elementare, siç është edhe e drejta për të votuar”, thekson kumtesa e këtij organi që ngritë zërin në mbrojtje të interesave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë.
Gjithashtu KKSH bën me dije se ndërrimi artificial i strukturës së popullsisë në Luginën e Preshevës është antiligjor dhe antikushtetues dhe bie ndesh me konventat e ratifikuara ndërkombëtare.
Në kuadër të këtyre të dhënave KKSH do të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike për të zbardhur këtë çështje dhe për të denoncuar brenda rendit juridik.