(2LONLINE) – Gjilani këto ditë po frymon nën atmosferën e një feste të madhe për shkak të derbit të futbollit në mes të KF Gjilani e KF Drita, që do të zhvillohet të dielën me 2 mars. Në drejtim të stadiumit të qytetit të Gjilanit pritet marshuta e mijëra adhurues futbolli, ndërsa me vëmendje do të jetë e tërë Kosova. Zaten, rivaliteti që kanë këto dy klube bëjnë që takimi mes këtyre dy skuadrave ta ketë një vëmendje të tillë.
E ndër ata që po përgatit për këtë derbi lokal , është edhe Policia e Kosovës, e interesuar që ajo ditë festive të kalojë në atë frymë duke u ruajtur rendi dhe qetësia. Shih, për këtë përfaqësues të policisë veç kanë zhvilluar disa takime me kryesitë e klubeve por edhe të tifozerisë dhe kanë rënë dakord , që të dielën në Gjilan të ketë festë futbolli, qyteti ti jepet një spektakël, por duke u ruajtur rendi dhe qetësia.
Komandanti i stacionit policor të Gjilanit, Remzi Azemi edhe këtë të premte ka mbledhur përfaqësues të klubeve dhe të tifozerive për të fuqizuar edhe njëherë marrëveshjen që atë ditë çdo të jetë atmosferë sportive për çka edhe e ka marrë zotimin.
Azemi tha për Portalin Informativ 2LONLINE, se edhe vet atij i ka munguar një derbi i tillë, sikurse i ka munguar Gjilanit në përgjithësi dhe ka kërkuar nga përfaqësuesit e klubeve por edhe të tifozëve që atë ditë, nga tifozët të ketë rivalitet në tribuna, nga lojtarët të ketë rivalitet në fushë, ndërsa jashtë stadiumit në qytet të ketë spektakël dhe të mbizotërojë një atmosferë sportive që do ta kenë lakmi të gjithë.
Ai, ua ka bërë me dije përfaqësuesve të klubeve dhe tifozerisë se policia është e interesuar të bashkëpunoj dhe ta jap kontributin e saj në mbarëvajtje të këtij spektakli por se është e përkushtuar maksimalisht për të mos lejuar as më të voglin incident dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike, andaj ka kërkuar nga të dyja grupet e tifozëve “intelektualët” dhe “skifterët”, të anojnë me zemër për klubin e tyre, por në suaza të rivalitetit në tribuna, pa prishur rendin dhe qetësinë, sepse policia nuk do të tolerojë këtë.
Azemi tha se Gjilani ka traditë dhe kulturë e cila duhet të dëshmohet edhe këtë të diele, e për këtë ai mori zotimin e drejtuesve të tifozëve. Ai ka thënë se Policia do të lejojë defilimin e tifozerisë atë ditë drejtë stadiumit, ashtu sipas marrëveshjes së arritur. Intelektualët do të nisen nga Teatri i qytetit në drejtim të stadiumit, ndërsa, “skifterët” nga platoja e ish “Shtëpisë së Mallrave”.në drejtim të stadiumit. Ndërkohë tifozeria “ultras’ e të dyja palëve do të jetë një orë më herët në tribuna të stadiumit të qytetit. Po ashtu përveç që do të ketë angazhim të shtuar të policisë, do të ketë edhe prani të sigurimit privat në stadium
Nga ana e tij, Ramadan Bunjaku, përfaqësues i KF Drita tha për 2LONLINE se është i interesuar që Gjilanit t’i dhurohet një spektakël, ndërsa shtoi se ky derbi duhet të jetë shembull pasi jemi edhe në sytë e ndërkombëtarëve, dhe se ky takimi do të jetë si paraprovim, para atij takimi të kombëtares së Kosovës me Haitin, që do të luhet tri ditë më pas.
Bunjaku ka kërkuar nga të dyja palët e tifozerisë të anojnë korrekt pa sharje dhe pavarësisht rezultatit, në fund të takimit t’ia shtrijnë dorën njëri tjetrit, sepse ky derbi mbi të gjitha është festë, është spektakël për Gjilanin e Kosovën. Se Gjilani do të ketë spektakël dhe do të ketë anime korrekte është shprehur për këtë edhe Blerim Sermagjaj përfaqësues i KF Gjilan.
Valon Selimi, nga Grup i tifozëve “skifterët” të KF Gjilanit, ka premtuar se do të ketë anime korrekte nga ky grup dhe se janë të interesuar për të përkrahur klubin e tyre të zemrës e assesi të shkaktojnë telashe. Edhe Selimi, por edhe Erkan Mustafa nga grupi i “intelektualëve”të KF Drita , thanë se janë dakorduar që secili ta mbështetë klubit e tij dhe do të jenë rival në tribuna, por se jashtë saj, tifozeria është e qyteti të Gjilanit dhe që të dyja palët janë miq e shok dhe ashtu edhe do të vazhdojë të jetë.
Përndryshe, në kuadër të çerekfinales së Digitalb Kupës së Kosovës, ishte përcaktuar që njëra ndër qiftet të jetë edhe ballafaqimi i dy rivalëve lokal Gjilani – Drita, takim ky që po pritet me padurim. /2lonline/