Autoritetet e Agjencisë Pyjore të Kosovës, Njësia në Viti, së bashku me policinë kufitare, kanë ndërmarrë një aksion në fshatin Debellde të Vitisë, me që rast kanë ndalur dhe kanë konfiskuar 7 m dru, 3 automjete dhe një moto sharrë dore.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Naim Pira, ka bërë me dije për aksionin e djeshëm dhe ka theksuar se do të vazhdojnë me inspektimin e terrenit dhe zonave, ku pyjet janë duke u shkatërruar.
“Jemi duke u angazhuar që dëmtuesit, konkretisht prerësit ilegal të pyjeve ti parandalojmë dhe ti sjellim para drejtësisë. Lusim qytetarët për një bashkëpunim me autoritetet e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe me policinë e Kosovës, në mënyrë që ti ruajmë këto pasuri që na i ka falë natyra”, ka thënë drejtori Pira. /2LONLINE/