Policia e Kosovës (PK), përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-mail-e të ndryshme, të disa informacioneve/dokumenteve false, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës dhe njëherit sqaron se:
Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, kinse të lëshuara nga “Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.
Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme. /2LONLINE/