Me datën 4 dhjetor 2018, kryetari i Komunës së Kllokotit B. D. (m/s/k) ka raportuar se me datën 3 dhjetor është kanosur verbalisht nga dy persona të dyshuar S. J. dhe Z. J. (babë e bir), që të dy (m/s/k) nga fshati Grncar i Kllokotit, njofton Policia e Kosovës.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e tyre operative për hetimin e rastit dhe intervistimin e personave të dyshuar të involvuar në këtë rast.
Bazuar në informacionet e siguruara, arsyeja për sulmin verbal dhe kërcënimet ndaj kryetarit të Komunës dyshohet se kanë ndodhur pasi i dyshuari S. J. është larguar nga lista e marrjes së asistencës sociale përmes Komunës së Kllokotit.
Gjatë trajtimit të rastit nga njësitet policore është dyshuar se njëri nga personat e përfshirë në këtë rast (S. J.) dyshohet se ka qenë nën ndikim të alkoolit.
Të gjitha veprimet policore lidhur me rastin janë ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti ‘kanosje’, me vendim të të cilit rasti është proceduar në procedurë të rregullt.