Videot e shpërndara në mediat sociale së voni tregojnë “nivele tronditëse të abuzimit” të grave në Iran nga policia e moralit dhe “bandat” pro-qeveritare, që përpiqen të zbatojnë kodin strikt të veshjes në këtë vend, tha organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International.
“Ligjet e detyrueshme të Iranit për hixhabet nuk janë vetëm thellësisht degraduese dhe diskriminuese, por përdoren edhe për të justifikuar sulmet e dhunshme ndaj grave dhe vajzave në rrugë”, tha përmes një deklarate Philip Luther, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, pranë Amnyesty International.
Ai tha se gratë në Iran “ndalohen vazhdimisht në rrugë nga policia e moralit, e cila i fyen dhe i kërcënon ato, i urdhëron të fshehin flokët nën shami ose u jep faculeta për të fshirë grimin”.
Gratë po ashtu sulmohen fizikisht, “duke u goditur në fytyrë, duke u rrahur me shkopinj dhe duke u vënë nën pranga dhe futur në furgonë të policisë”, thuhet në deklaratë.
Kodi islamik i veshjes është bërë i detyrueshëm në Iran që nga Revolucioni i vitit 1979. Me këtë kod, gratë duhet të mbulojnë flokët dhe trupin në publik.