Policia e Kosovës po punon me përkushtim për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë parandalimin e kriminalitetit, luftimin e dukurive negative, menaxhimin dhe kontrollin e kufirit, mundësimin e lëvizjes së lirë si dhe respektimin e të drejtave njerëzore.
Me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit, komunikimit të ndërsjellë me qytetarët dhe ofrimin e mundësisë për lajmërimin e rasteve të ndryshme në të gjitha rajonet dhe stacionet policore, Policia e Kosovës ka të publikuar edhe numrat kontaktues pa pagesë (192 , 0800 19999, 038 550 999), si dhe numrat e të gjitha stacioneve policore, përfshirë e-mailin zyrtar [email protected] .
Policia e Kosovës me qëllim të krijimit të mundësive shtesë për bashkëpunim, komunikim dhe raportim të rasteve kriminale ka ofruar dhe njëherit publikuar platformën digjitale “LAJMËRO POLICINË”, e cila mund të përdoret dhe shkarkohet në pajisjet mobile në tri gjuhët, shqip, serbisht dhe anglisht.
Që nga lancimi i këtij aplikacioni në Policinë e Kosovës në nivel vendi janë raportuar rreth (10.700) raste të ndryshme, që ndërlidhen me trafikun rrugor, posedim të armëve, drogës, raste të dhunës, korrupsionit etj.
Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me qytetarët dhe raportimet përmes kësaj platforme, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për raportimin e rasteve të ndryshme dhe bashkëpunimin e ofruar në arritjen e objektivave të përbashkëta për garantimin e një sigurie të përgjithshme dhe inkurajon të gjithë qytetarët pa dallim në gjitha rajonet policore posaçërisht në rajonin e Mitrovicës Veri , që edhe më tutje rastet të raportohen pa hezitim në mënyrën më të lehtë dhe më të qasshme për ta.
Të gjitha raportimet nga ana e qytetarëve përmes këtij aplikacioni ofrojnë transparencë, konfidencialitet dhe anonimitet të plotë. /2LONLINE/