Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të Igor Simic të publikuar në rrjetin e tij social facebook, të titulluar – Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë, i cili pastaj si spekulim i tillë është publikuar edhe në portalin serb Kosovo – online.
Në këto shkrime spekulohet se kinse njësitet speciale (NJSO) të PK-së, me rastin e kryerjes së ndërrimeve në kalimin kufitar Bërnjakë, me date 30 shtator 2021 rreth orës 23.30, kinse me qëllim kanë dëmtuar dhjetëra automjete private të parkuara në rrugë, sipas fotografive kinse janë gërvishtur nga zyrtarët veturat në fjalë.
Duke e dëshmuar faktin se Policia e Kosovës është profesionale dhe në zbatim të ligjit, e ritheksojmë se veprimet policore ndërmerren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, dhe nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike.
Policia e Kosovës ka bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se informacionet e tilla janë të pavërteta, pasi njësitet policore në asnjë rrethanë nuk janë të përfshirë, andaj shkrimet e tilla janë spekulime, të paqëndrueshme dhe të orientuara politikisht, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe njollosjes së njësiteve elite të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, edhe përkundër spekulimeve të tilla do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime./2LONLINE.com/