Lidhur me protestën e mbajtur sot (12.02.2024 – ora 12:00) në shesh të Mitrovicës Veri, Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.
Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike.
Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident, thuhet në njoftimin e policisë. /2LONLINE/